ShBA-të i qëndrojnë besnik hartës rrugore për Menbixhin të dakorduar me Turqinë

Koloneli, Sean J. Ryan, zëdhënësi i koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër DAESH-it i bëri një vlerësim operacioneve që vazhdojnë kundër organizatës terroriste DAESH në Irak dhe Siri si dhe hartës rrugore të dakorduar me Turqinë në lidhje me Menbixhin.

Koloneli, Sean J. Ryan, zëdhënësi i koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër DAESH-it i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëri të ditur se i qëndrojnë besnik hartës rrugore të dakorduar me Turqinë në lidhje me Menbixhin dhe shtoi se “Në Menbixh ka shumë pak pjesëtarë të organizatës separatiste terroriste YPG, fraksion i PKK-së në Siri. YPG-ja nuk do të jetë pjesë e Menbixhit”.

Gjatë lidhjes me anë të videokonferencës në një mbledhje të mbajtur në Departamentin amerikan të Mbrojtjes (Pentagon), koloneli Ryan i bëri një vlerësim operacioneve që vazhdojnë kundër organizatës terroriste DAESH në Irak dhe Siri.

Duke vënë në dukje se në luftën kundër DAESH-it në Siri është hyrë në fazën e fundit, koloneli Ryan tha se në Luginën e Eufratit Qendror, të cilën koalicioni ndërkombëtar i kryesuar nga ShBA-ja përpiqet ta spastrojë nga kjo organizatë terroriste, ndodhen rreth 1 mijë e 500 deri 2 mijë pjesëtarë të kësaj organizate.

Në përgjigje të pyetjes se në cilën fazë ndodhet zbatimi i hartës rrugore të dakorduar me Turqinë për Menbixhin, koloneli Ryann tha se të dy vendet kanë realizuar me sukses patrullimin e 46-të të pavarur të koordinuar të cilat kontribuojnë në sigurinë e këtij rajoni, ndërsa shtoi se vazhdojnë trajnimet për patrullime të përbashkëta.

Ndërkaq në pyetjen se “A ndodhen në Menbixh elementet e organizatës separatiste terroriste YPG/PKK?”, Ryan tha se “Aq sa jam i informuar në Menbixh ka shumë pak pjesëtarë të YPG-së. Ne i qëndrojmë besnik marrëveshjes, YPG-ja nuk do të jetë pjesë e Menbixhit”.

Në anën tjetër duke kaluar mbi pyetjet në lidhje me marrëveshjen mes Turqisë dhe Rusisë për formimin e zonës së çmilitarizuar në Idlib, Ryan tha se koalicioni ndërkombëtar nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje, por në qoftë se zbatohet ajo do të parandalojë një fatkeqësi humanitare.

Duke iu shmangur përgjigjes së drejtpërdrejt se “A është i kënaqur koalicioni me marrëveshjen në fjalë?”, koloneli Ryan tha se “Ajo çfarë duam ne është një zgjidhje politike që do të shpëtojë jetët e njerëzve”.

Zëdhënësi iu përgjigj edhe pyetjeve në lidhje me vendosjen e sistemeve të radarit dhe të mbrojtjes raketore nga ana e ShBA-së në verilindje të Sirisë, ku tha se ShBA-ja më herët ka vendosur sisteme të radarëve në këtë rajon, ndërsa nuk dha informata për vendosjen e sistemeve raketore në zonat e kontrolluara nga organizata terroriste YPG/PKK./TRT