SHBA përgënjeshtron raportimet për hyrjen e regjimit të Asadit në Munbixh

"Pavarësisht pohimeve të pabazuara për ndryshim të fuqisë ushtarake në qytetin e Munbixhit, koalicioni nuk sheh ndonjë indikator të saktësisë së këtyre akuzave", tha koalicioni në një postim në median sociale

Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) dhe koalicioni ndërkombëtar kundër DEASH-it i kryesuar nga SHBA, përgënjeshtruan raportimet se forcat e regjimit të Bashar al-Asadit kanë hyrë në qytetin e Munbixhit në veri të Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Pavarësisht pohimeve të pabazuara për ndryshim të fuqisë ushtarake në qytetin e Munbixhit, koalicioni nuk sheh ndonjë indikator të saktësisë së këtyre akuzave”, tha koalicioni në një postim në median sociale.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve të respektojnë integritetin e Munbixhit dhe sigurinë e qytetarëve të tij”, shtoi koalicioni kundër organizatës terroriste DEASH.

Ndërkaq, një zyrtar i Pentagonit, i cili kërkoi të ngelet anonim, tha për AA se lajmet se forcat e regjimit të Asadit kanë hyrë në Munbixh “nuk janë të vërteta”.

Ndryshe, organizata terroriste YPG/PKK më herët gjatë ditës tha se është tërhequr nga Munbixhi dhe i bëri thirrje regjimit të Asadit të hyjë në qytet. Pas kësaj, ushtria e regjimit të Asadit pohoi se kanë hyrë në qytet.

Ndërkohë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, sot në një prononcim për mediat në Stamboll, tha se regjimi i Asadit aktualisht është duke zhvilluar një “operacion psikologjik” në lidhje me Munbixhin.

Erdoğan më herët ka sinjalizuar se një operacion ndërkufitar kundër organizatës terroriste PYD/YPG në Siri do të ndodhë së shpejti. Që nga viti 2016, Ankaraja ka kryer dy operacione të ngjashme ushtarake në Sirinë veriore.

Presidenti amerikan Donald Trump javën e kaluar njoftoi papritur tërheqjen e forcave nga Siria. Vendimi i SHBA-së u pasua nga një bisedë telefonike të Trump me Erdoğan, në të cilën dy liderët ranë dakord mbi nevojën për një koordinim më efektiv rreth Sirisë.