SHBA paralajmëron Izraelin para se t’i kundërpërgjigjet Iranit

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka paralajmëruar kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu që të “mendohet me kujdes” para se t’i kundërpërgjigjen sulmeve të Iranit, transmeton Anadolu.

Një zyrtar i lartë amerikan, bëri deklarata për gazetarët lidhur me bisedën telefonike të Bidenit me Netanyahun.

Zyrtari tha se në bisedë, Biden i ka thënë Netanyahut se “rreziku për përshkallëzimin e tensioneve duhet të mendohet me kujdes dhe se ndaj çështjes duhet të paraqitet qasje në aspektin strategjik”.

Izraeli i ka thënë SHBA-së se nuk mendon të rrisë tensionet me Iranin, tha zyrtari i cili në pyetjen lidhur me mundësinë e ofrimit të mbështetjes nga SHBA-ja ndaj një sulmi të mundshëm hakmarrës të Izraelit, shtoi se “nuk kanë plane të tilla”.

– Tensionet Iran-Izrael

Më 1 prill Izraeli kreu sulm ajror në ndërtesën e konsullatës së Iranit në Damask. Në sulm humbën jetën 7 anëtarë nga Ushtria e Gardës Revolucionare iraniane, përfshirë 2 gjeneralë.

Irani njoftoi se sulmi i Izraelit ndaj konsullatës nënkuptonte sulm në territorin e vendit të tij dhe se ata do të hakmerreshin. Izraeli tha se do t’i përgjigjej sulmeve të Iranit.

Irani nisi një sulm ndaj Izraelit më 13 prill me qindra mjete ajrore pa pilot kamikazë, raketa balistike dhe lundruese dhe njoftoi se disa objektiva ushtarakë u goditën.

Izraeli deklaroi se shumica e sulmeve u parandaluan nga sistemet e mbrojtjes ajrore, por një raketë goditi një bazë ushtarake në jug.