SHBA ofron 900 mld $ si ndihmë financiare për të prekurit nga pandemia

Marrëveshja që pritet të miratohet, mendohet të ndihmojë kryesisht bizneset, qytetarët në nevojë, si dhe programin e procesit të vaksinimit masiv.

Udhëheqësit kryesorë të kongresit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur një marrëveshje për t’i siguruar vendit një fond prej 900 miliardë dollarë ndihmë për situatën e pandemisë. Ky financim vjen pasi shumë paketa për rimëkëmbjen ekonomike do të skadojnë në fund të muajit.

“Me informacionin e të gjithë senatorëve, që është e rëndësishme për të gjithë qytetarët amerikanë, ne më në fund mund të raportojmë atë çka vendi ka dashur të dëgjojë për një kohë të gjatë: më shumë ndihmë po vjen”, shprehet senatori Mitch McConnell.

“Ne jemi gati të ofrojmë një zgjerim të domosdoshëm të rritjes së përfitimeve nga papunësia. Kontrolle të drejtpërdrejta për mbijetesën e miliona familjeve amerikane, lehtësim për shkollat, bizneset e vogla, sistemin shëndetësor, si dhe financim për të mbështetur prodhimin dhe shpërndarjen e një vaksine”, tha senatori Chuck Schumer.

Marrëveshja që pritet të miratohet, mendohet të ndihmojë kryesisht bizneset, qytetarët në nevojë, si dhe programin e procesit të vaksinimit masiv. Fondi do t’i sigurojë një shumë prej 300 dollarë në javë për personat e papunë. Gjithashtu do të bëhen edhe pagesa të drejtpërdrejta prej 600 dollarësh për të gjithë qytetarët, si dhe për shkollat apo bizneset e prekura nga pandemia. /euronews