SHBA: Nuk do të ketë PKK/YPG në zonën e sigurisë me Turqinë në kufirin sirian

“Ne po bashkëpunojmë me Turqinë për të pasur një zonë të sigurisë të një gjatësie të caktuar në kufirin me Turqinë”, tha Jeffrey, i dërguari special për Sirine

Përfaqësuesi special i SHBA-ve për Sirinë, James Jeffrey, ka deklaruar se Washingtoni po bashkëpunon me Turqinë për “një zonë të sigurisë me gjatësi të caktuar në kufirit me Turqinë”, duke thënë se në këtë zonë nuk do të ketë forca nga YPG/PKK, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne po kërkojmë zgjidhje që do të plotësoj nevojat e të gjithëve”, tha Jeffrey në një konferencë për media në Departamentin e Shtetit, i cili po ashtu shërben si i dërguar i posaçëm për koalicionin anti-DEASH.

“Ne po bashkëpunojmë me Turqinë për të pasur një zonë të sigurisë të një gjatësie të caktuar në kufirin me Turqinë, ku nuk do të ketë forca të YPG-së, për shkak se Turqia ndjehet shumë e nervozuar për YPG-në dhe lidhjet e tyre me PKK-në”, tha Jeffrey, duke shtuar se “ne e kuptojmë këtë, presidenti (Donald Trump) ia ka bërë këtë të qartë presidentit (Recep Tayyip) Erdoğan”.

Jeffrey tha se sidoqoftë, qëllimi kryesor i SHBA-ve në Siri ishte mposhtja e grupit terrorist DEASH.

“Misioni është mposhtja e ISIS-it (DEASH-it), jo operimi i ndonjë zone të sigurisë”, tha Jeffrey.

Ai gjithashtu tha se SHBA akoma nuk e di vendndodhjen e liderit të DEASH-it, Abu Bakr al-Baghdadi.

Vendndodhja dhe gjendja e tij ishte një mister në vitet e fundit, ndërsa pohime të shumta u bënë se ai është vrarë në beteja të ndryshme në Irak dhe Siri.

“Ne nuk e dimë se ku është dhe gjetja e udhëheqësit të ISIS-it (DEASH-it) apo ndonjë grupi tjetër terrorist është gjithmonë prioritare”, tha Jeffrey.