SHBA ndihmon Izraelin çdo vit me 4,5 miliardë dollarë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump ka thënë se administratës së Tel-Avivit i japin në vit 4,5 miliardë dollarë dhe se izraelitët po e mbrojnë shumë mirë veten.

Sipas një lajmi të të përditshmes izraelite “Haaretz”, Trump në kthim të vizitës së papritur në Irak kishte pasur në avion një bashkëbisedim me gazetarët që e shoqëronin.

I pyetur për ndikimin që do të ketë në Izrael vendimi i ShBA-së për tërheqjen e trupave nga Siria, Trump tha: “Ne i japim Izraelit çdo vit 4,5 miliardë dollarë dhe Izraeli po e mbron mjaft mirë veten.

Duke deklaruar se ai kishte biseduar me kryeministrin izraelit, Beniamin Netanjahu, Trump citohet të ketë thënë: “Netanjahut i thashë kështu: ‘Siç e dini, ne i japim Izraelit 4,5 miliardë dollarë në vit dhe ju po e mbroni shumë mirë veten’. Unë isha ai që e transferova ambasadën në Jerusalem. Unë kam qenë ai që kam shprehur dëshirën dhe vullnetin për ta bërë këtë. Kështu e kanë këto punë. Me Izraelin do të kujdesemi shumë. Izraeli do të bëhet mirë. Izraelit i japim 4,5 miliardë dollarë. Nëse kontrolloni të dhënat, do të shihni se ne i kemi dhënë Izraelit shumë më tepër se kaq”.

Kurse Kryeministri Netanyahu u ishte shmangur kritikave të hapura në adresë të vendimit të Trump-it, duke thënë se “Izraeli do të punonte mbi vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të vazhdonte të garantonte sigurinë e tij në të gjitha rrethanat”, por gjithsesi në Izrael vendimi i Uashingtonit për tërheqje (nga Siria) ishte pritur me shqetësime.

Mediat izraelite kishin shkruar se Izraeli do të mbetej i vetëm në Siri, sidomos kundër Iranit, dhe e kishin kritikuar ashpër Trump-in për vendimin.

Izraeli renditet në krye të vendeve që ka përfituar më shumë nga ndihmat e SHBA-së pas Luftës së Dytë Botërore e këtej.

Sipas të dhënave të Shërbimit të Kongresit amerikan për Hulumtime, administratat e Uashingtonit kanë dërguar më shumë se 130 miliardë dollarë ndihma deri tani në Izrael. Dhe shumica dërrmuese e këtyre ndihmave kanë qenë në fushën ushtarake./TRT