SHBA ndalon importin e naftës nga Rusia

Amerika ka ndaluar importet e naftës nga Rusia. Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden mori këtë vendim të martën, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

“Kam thënë se mbrojtja e lirisë do të kushtojë, do të na kushtojë edhe neve në Shtetet e Bashkuara”, tha Biden.

Përkundër frikës për rritje të çmimeve të gazit, vendimi i tij është mbështetur paraprakisht nga politikanët tjerë në SHBA.

Rusia paralajmëroi më herët se mund të mbyllë tubacionin e saj kryesor të gazit në Gjermani, nëse Perëndimi ndalon naftën ruse.

BE-ja merr rreth 40% të gazit dhe 30% të naftës së saj nga Rusia dhe nuk ka zëvendësues të lehtë të tyre, nëse furnizimet ndërpriten.

Për krahasim, rreth 8 për qind e importeve amerikane të naftës janë nga Rusia.

SHBA-ja nuk importon gaz natyror nga ky vend.

Moska është eksportuesja e tretë më e madhe e naftës dhe çdo vendim për sanksione pritet ta dëmtojë ekonominë e saj.