“SHBA mund të përballet me uraganin më të fuqishëm në 20 vite”

Uragani Florence pritet të godasë pjesën lindore të SHBA-së të enjten, ndërkohë që autoritetet kanë dhënë urdhër për evakuimin e disa rajoneve

 Uragani Florence, i cili u shfaq në Oqeanin Atlantik dhe pritet të godasë pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) të enjten, mund të jetë uragani më i fuqishëm që ka goditur vendin në 20 vitet e fundit, paralajmëruan ekspertët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qendra Nacionale Amerikane e Uraganëve njoftoi se fuqia e Uraganit Florence është përditësuar në kategorinë 4 dhe shpejtësia e tij ka arritur në 225 kilometra në orë.

Sipas një deklarate të qendrës, fuqia e uraganit mund të ngritet në kategorinë 5.

“Sado intensive që të jetë, është fakt se Florence do të jetë një uragan i gjerë dhe mjaft i rrezikshëm”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, guvernatori i Karolinës së Jugut, Henry McMaster, tha se është dhënë urdhër për evakuimin e tetë rajoneve në brigjet e këtij shteti dhe se në 26 rajone janë mbyllur institucionet shtetërore, përfshirë shkollat dhe qendrat e shëndetësisë.

Nga ana tjetër, guvernatori i Virginia-s, Ralph Northam, ka dhënë urdhër për evakuimin e dy rajoneve në pjesën bregdetare.

Ekspertët e meteorologjisë kanë paralajmëruar se Florence do të jetë uragani më i fuqishëm që ka goditur SHBA-në në 20 vitet e fundit.

Po ashtu, presidenti amerikan Donald Trump, ka paralajmëruar qytetarët amerikanë në lidhje me uraganin përmes një deklarate në rrjetin social Twitter.

“U informova se Florence do të jetë një nga uraganët më të këqinj që kanë goditur pjesën lindore viteve të fundit. Po ashtu, është thënë se ai do ta godasë Karolinën e Veriut, Karolinën e Jugut dhe Virginia-n. Ju lutem, jini të përgatitur dhe në siguri”, është shprehur Trump.