SHBA-ja ndërpret prodhimin e Boeing 737 MAX 9 pas aksidenteve

Pas një vargu aksidentesh të profilit të lartë, disa prej të cilave ishin vdekjeprurëse, SHBA-ja njoftoi se nuk do të lejojë prodhimin e avionëve të serisë MAX, duke përfshirë Boeing 737 MAX 9, në mënyrë që të përmirësohet kontrolli i cilësisë, raporton Anadolu.

Një deklaratë nga Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së (FAA) përmendet incidenti i 5 janarit ku një pjesë u shkëput nga trupi i një Boeingu 737 MAX 9 gjatë fluturimit, duke theksuar se një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë më kurrë. Në këtë aksident nuk ka pasur viktima.

Në njoftim thuhet se FAA ka njoftuar masa shtesë për të garantuar sigurinë e çdo avioni dhe ka informuar Boeing se nuk do të lejohet prodhimi i avionëve të serisë MAX, përfshirë 737 MAX 9.

Gjithashtu theksohet se FAA ka miratuar një proces gjithëpërfshirës të inspektimit dhe mirëmbajtjes për të gjitha 171 avionët 737 MAX 9 që nuk lejohen të fluturojnë, ndërsa ata që kalojnë me sukses inspektimet mund të kthehen në shërbim.

Kreu i FAA, Mike Whitaker, tha se nuk do të pranojnë asnjë kërkesë nga Boeing për të vazhduar prodhimin ose miratimin e linjave shtesë të prodhimit për 737 MAX derisa të binden se janë zgjidhur çështjet e kontrollit të cilësisë.

 Incidentet me MAX

Në SHBA më 5 janar, një pjesë e trupit të avionit Boeing 737 MAX 9 të Alaska Airlines u shkëput në mes të fluturimit.

Avioni, i cili udhëtonte nga Oregon në Kaliforni, u detyrua të bënte ulje emergjente rreth 35 minuta pas ngritjes. Avioni u ul në mënyrë të sigurt me 171 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit në bord.

Modeli 737 Max u shfaq për herë të parë në vitin 2017. Në aksidentet e vitit 2018 në Indonezi dhe ai në Etiopi në 2019, humbën jetën gjithsej 346 njerëz.

Përdorimi i të gjitha avionëve Max u ndaluan në mbarë botën për gati dy vjet, ndërsa kompania bëri ndryshime në sistemin e automatizuar të kontrollit të fluturimit që shtynte hundën poshtë bazuar në leximet e gabuara të sensorëve.

Kompania u përball me humbje të konsiderueshme financiare dhe u padit nga familjarë të shumtë të viktimave.