SHBA e përdor naftën si “kartë” në Venezuelë

Shtëpia e Bardhë synon që t'i ndërpresë Maduros të ardhurat nga nafta në vendin i cili po lufton me vështirësitë ekonomike dhe t'i transferojë këto të ardhura tek Guaido

Qeveria e SHBA-ve me sanksionet për naftën që zbaton ndaj Venezuelës, po shkatërron balancën politike në vend dhe është duke u përpjekur ta kthejë qeverinë në favor të saj.

Administrata amerikane e cila nuk e pranon legjitimitetin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro dhe që njeh presidentin e Asamblesë Kombëtare, Juan Guaido, i cili deklaroi veten si “president të përkohshëm të vendit” të hënën njoftoi se ka vendosur në listën e sanksioneve kompaninë shtetërore të naftës në Venezuelë PDVSA (Petroleos de Venezuela) si dhe të gjithë asetet që lidhen me këtë kompani.

Përveç presionit politik të vendosur ndaj Venezuelës, që ka rezervat më të mëdha të naftës në botë, Shtëpia e Bardhë synon që t’i ndërpresë Maduros të ardhurat nga nafta në vendin i cili po lufton me vështirësitë ekonomike dhe t’i transferojë këto të ardhura tek Guaido dhe kështu ta kthejë qeverinë e vendit në favor të saj.

Administrata e Washingtonit, pasi ka bllokuar asetet financiare prej 7 miliardë dollarë amerikanë të Venezuelës në SHBA dhe ka bërë të ditur se këto asete do të kalojnë nën kontrollin e kreut të opozitës Guaido, ka theksuar se tashmë nuk do të realizohen më pagesat e naftës për administratën e Maduros dhe se homologu i tyre për këtë çështje do të jetë Guaido.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se të ardhurat e naftës së Venezuelës vitin e ardhshëm do të ulen me rreth 11 miliardë dollarë dhe se po vlerëson të gjitha alternativat për ndryshimin e qeverisë në Venezuelë.

Njëkohësisht me sanksionet, Guaido njoftoi se ka udhëzuar Asamblenë Kombëtare që të emërojë anëtarë të rinj në PDVSA dhe Citgo Petroleum që është nënkontraktore e kompanisë në SHBA, ndërsa Maduro ka theksuar se SHBA përmes sanksioneve po përpiqet të vjedhë Citgo nga PDVSA.

– 40 për qind e të ardhurave të naftës vijnë nga SHBA

Edward Glossop, eksperti i ekonomisë për Amerikën Latine në organizatën e pavarur të Londrës, Capital Economics, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se të ardhurat e Venezuelës nga eksporti i naftës pritet të bien në muajt e ardhshëm për shkak të sanksioneve.

“40 për qind e të ardhurave totale të Venezuelës nga eksporti i naftës vijnë nga eksportet e realizuara në SHBA. Humbja e të ardhurave nga eksporti i naftës do të thellojë krizën ekonomike në vend”, tha Glossop.

Duke theksuar se të ardhurat e eksportit të Venezuelës pritet të ulen me 1 miliard dollarë në muaj për shkak të sanksioneve, Glossop nënvizoi se është e vështirë që kjo të mbyllet me fillimin e eksporteve të naftës në vende të tjera.

Pasi ka bërë të ditur se vende të tilla si India dhe Turqia që mbështesin Maduron mund të vazhdojnë blerjen e naftës nga Venezuela, Glossop u shpreh se është e mundur gjithashtu që edhe vendet si Kina dhe Rusia që mbështesin Maduron t’i japin borxh Venezuelës.

“Administrata e Washingtonit në muajt e ardhshëm, mund të ndalojë vendet e huaja të importojnë naftë nga Venezuela”, tha Glossop duke paralajmëruar se SHBA-ja do të rrisë sanksionet e saj ndaj Venezuelës.

– Përmbajtja e sanksioneve

Në një deklaratë nga Departamenti Amerikan i Thesarit thuhet se në kuadër të sanksioneve Venezuela mund të vazhdojë të ekportojë naftë në SHBA, por ka vendosur kushtin që të ardhurat e këtyre eksporteve të depozitohen në llogaritë bankare të ngrira në SHBA.

Citgo Petroleum për shkak të sanksioneve të mëparshme të SHBA-ve, që prej gushtit 2017 e deri tani nuk mund të bëjë transferime të parave Venezuelës. Kompania në vend të kësaj i shet naftë dhe produkte të naftës së rafinuar Venezuelës dhe vendeve të tjera.

Citgo i cili është importuesi më i madh i naftës së Venezuelës në SHBA, në këtë vend ka 3.500 punonjës, më shumë se 5.000 pika karburantu, 9 linja të tubacioneve dhe 3 rafineri që përpunojnë mesatarisht 760 mijë fuçi nafte bruto në ditë.