SHBA do të dërgojë “ndihma humanitare” në Venezuelë

Administrata e SHBA-ve ka deklaruar se do të dërgojë "ndihma humanitare" në përgjigje të kërkesës së bërë nga lideri opozitar Juan Guaido

Administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka deklaruar se do të dërgojë “ndihma humanitare” në përgjigje të kërkesës së bërë nga lideri opozitar Juan Guaido, të cilin e ka njohur si president të përkohshëm të Venezuelës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, John Bolton në një deklaratë nga llogaria e tij në Twitter në lidhje me Venezuelën ka thënë se “Në përputhje me kërkesën e presidentit të përkohshëm Juan Guaido dhe në konsultim me zyrtarët e tij, SHBA do të mobilizojnë ndihmat humanitare për popullin e Venezuelës, përfshirë furnizimet me ilaçe, produkte mjekësore dhe ushqimore. Është koha që Maduro të largohet nga rruga”.

Gjithashtu edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo në një postim në Twitter ka mbështetur deklaratën e Boltonit për “ndihmat humanitare”

Duke cituar postimin e Guaidos në “Twitter” për “ndihmën humanitare”, Pompeo tha se “SHBA-të mbështesin përpjekjet për të mobilizuar ndihmën humanitare. Ne jemi të gatshëm të mbështesim popullin e Venezuelës”

Diskutimi për “ndërhyrje ndaj Venezuelës”

Deklaratat e Boltonit dhe Pompeos për “ndihma humanitare ndaj Venezuelës” janë cilësuar si një hap që do të lehtësojë ndërhyrjen e SHBA-ve kundër këtij vendi.

Guaido, në një postim dje nga Twitteri tha se kanë rritur përpjekjet e ndihmave humanitare për popullin e Venezuelës dhe se do të lejonin hyrjen e produkteve ushqimore dhe atyre mjekësore në vend.

Ndërkohë qeveria e SHBA-ve në deklaratat e mëparshme ka njoftuar se ka ndarë një fond prej 20 milionë dollarë ndihmë për popullin e Venezuelës dhe se është e gatshme ta dërgojë këtë ndihmë.

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro përpjekjet e SHBA-ve për ndihmë ndaj vendit të tij i ka komentuar si “ndërhyrje ndaj të drejtës së sovranitetit” dhe është shprehur se janë kundër kësaj.

Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence dje në një deklaratë tha se “Është koha për t’i dhënë fund regjimit të Maduros”.

Venezuela u trondit nga protestat që filluan më 10 janar, kur presidenti Maduro u betua për mandatin e dytë pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita. Tensionet u rritën më tej kur Guaido shpalli veten president të përkohshëm më 23 janar.

Midis vendeve që kanë njohur Guaidon janë: SHBA, Brazili, Argjentina, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Ekuadori, Guatemala, Panama, Paraguaji.

Ndërsa vendet si Bolivia, Meksika, Rusia, Kina, Irani dhe Turqia mbështesin Maduron.