SHBA: Dialogu Turqi-Greqi, “dritare mundësie”

Liderët e BE-së pritet të takohen në Bruksel të enjten për dy ditë për diskutime mbi tensionet në Mesdheun Lindor dhe marrëdhëniet me Turqinë.

Shtetet e Bashkuara shohin një “dritare mundësie” për një dialog midis Turqisë dhe Greqisë, tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

Administrata e SHBA-së “do të luajë çdo rol që është i përshtatshëm dhe i dobishëm dhe konstruktiv”, tha Mike Pompeo në një intervistë për gazetën greke Ekathimerini pas vizitës së tij dyditore në Greqi mes tensioneve të rritura në Mesdheun Lindor.

Në një pyetje në lidhje me takimin e Këshillit Evropian që do të mbahet të enjten, Pompeo tha: “Ne kemi një grup të thjeshtë objektivash; duam që kjo të zgjidhet në një mënyrë që reflekton se si, prapa këtyre konflikteve, prapa këtyre mosmarrëveshjeve që nuk janë zgjidhur për një kohë tmerrësisht të gjatë, ekzistojnë mjete diplomatike për të zbatuar të drejtën ndërkombëtare në një mënyrë që është e përshtatshme dhe duke njohur të drejtat e çdo kombi sovran”.

Ai theksoi se angazhimi i SHBA-së për Mesdheun Lindor vazhdon.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse SHBA dëshiron ta zhvendosë në Greqi bazën e Incirlik-ut në Turqi siç raportohet nga disa media evropiane, Pompeo tha se nuk ka një plan të tillë në këtë kohë.

Liderët e BE-së pritet të takohen në Bruksel të enjten për dy ditë për diskutime mbi tensionet në Mesdheun Lindor dhe marrëdhëniet me Turqinë.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, sot u dërgoi një letër krerëve të vendeve të BE-së, duke përsëritur thirrjen e Ankarasë për dialog me Greqinë.

Tensionet kanë qenë të larta për javë të tëra në Mesdheun Lindor, pasi Greqia ka kundërshtuar kërkimet e Turqisë për energji.

Turqia, vendi me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe, dërgoi anije sizmike për të kërkuar energji në shelfin e saj kontinental, duke riafirmuar të drejtat e saj në rajon, si dhe ato të Republikës Turke të Qipros Veriore.

Ankaraja ka kërkuar vazhdimisht negociata pa asnjë parakusht për të arritur një ndarje të drejtë të burimeve të rajonit.