Serie A, ndalen Milan dhe Juventus

Milan nuk shënon prej katër ndeshjes, Juventusin e shpëton Cristiano Ronaldo...

Milani i Gattusos kapitullon në stadiumin Benito Stirpe të Frosinones duke regjistruar një tjetër rezultat zhgënjyes. Kuqezinjtë u ndalën në një barazim pa gola nga skuadra që renditet e parafundit në Serie A, barazim ky që ka shijen e një humbjeje. Milani humbi akoma edhe më shumë terren në garën për një vend në 4-shen e parë që të kualifikon në Champions League ndërkohë që stoli i Gatussos pas këtij rezultati është lëkundur ndjeshëm dhe gjasat janë që ish mesfushori të shkarkohet nga stoli i Milanit gjatë orëve në vazhdim. 4 ndeshje pa shënuar është një statistikë negative që Milanit nuk i ndodhte që nga viti i largët 1984, për më tepër 4 ndeshje në të cilat kuqezinjtë duhet të kishin marrë minimalisht 9 ose 10 pikë duke patur parasysh kalendarin. Sfida nisi mirë për skuadrën e Gattusos që goditi shtyllën me Samu Castillejon në pjesën e parë, fraksion loje në të cilin Frosinone gjeti golin me Cianon, por me ndërhyrjen e VAR goli i anullua për një faull të Krajnc ndaj Calhanoglu në fillimet e aksionit. Në pjesën e dytë kuqezinjtë ishin më kërkues por shpërdoruan shumë përpara portës, me Higuain që kishte një shans të artë në sekondat e fundit të kohës së rregullt, por sulmuesi argjentinas konfirmoi edhe njëherë momentin negativ që po kalon duke gabuar një 11-metërsh në lëvizje. Në shtesë u desh edhe një ndërhyrje shpëtimtare e Donnarummas ndaj Cianos që Milani të mos dilte pa pikë nga kjo transfertë.

Juventus ka arritur të ruajë pathyeshmërinë e saj në këtë sezon të Serisë A pas barazimit 2-2 të marrë me dhjetë lojtarë në fushën e Atalanta-s, që mbetet pa fitore në 27 ndeshjet e fundit të luajtura kundër bardhezinjve.

Gjithçka ka nisur mirë për kampionët në fuqi të Italisë, por jo për mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, i cili ka realizuar një autogol në minutën e dytë të takimit.

Kur mendohej se Juventus do të merrte një fitore të lehtë, vendasit janë kundërpërgjigjur në   minutën e 24-t me Duvan Zapata, i cili ka realizuar golin e barazimit 1-1.

Pjesa e dytë ka filluar keq për “Zonjën”, që ka mbetur me dhjetë lojtarë në minutën e 53-të pas kartonit të dytë të verdhë të marrë nga Rodrigo Bentnacur.

Zikaltrit e kanë shfrytëzuar pothuajse menjëherë superioritetin numerik, duke shënuar golin e dytë në minutën e 56-të. Ky gol ka detyruar trajnerin Allegri- të aktivizojë Cristiano Ronaldo-n, i cili duhej të kishte qëndruar pushim në këtë ndeshje.

Portugezi ia ka shpërblyer besimin trajnerit të Juventus me golin e barazimit 2-2 të shënuar në minutën e 78-të me një goditje me kokë brenda zonës së rreptësisë, ndaj së cilës portieri Berisha nuk mund të bënte asgjë.

Në minutën e parë të kohës shtesë ka ardhur edhe goli i tretë i miqve, i realizuar nga Bonucci, por që është anuluar për pozicion jashtë loje.

Kështu, bardhezinjtë kanë marrë një pikë të çmuar në  Bergamo dhe kanë thelluar me 9 pikë diferencën ndaj Napoli-t, që mban vendin e dytë në renditje dhe që do të luajë sot në mbrëmje në “San Siro” kundër Inter-it.

Në ndeshjet e tjera, Lazio ka mundur 2-0 Bologna-n dhe ka përforcuar vendin e katërt. Sampdoria ka fituar me të njëjtin rezultat në fushën e Chievo-s dhe është ngjitur në vendin e pestë. Cagliari është kthyer te fitorja pasi ka mundur 1-0 Genoa-n në shtëpi,  ndërsa Parma-n ka fituar me të njëjtin rezultat në fushën e Fiorentina-s.