Sergey Lavrov reagon për pretendimet se Irani do të tërhiqet nga Siria

"Kjo (tërhiqja e Iranit nga Siria) është absolutisht joreale dhe është e hapur që pa pjesëmarrjen e Arabisë Saudite, Jordanisë, Egjiptit, duke përfshirë edhe Iranin nuk është e mundshme që të zgjidhen problemet në rajon"

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, tha se nuk është reale zgjidhja e çështjes siriane pa pjesëmarrjen e vendeve kyçe në rajon, përfshirë edhe Iranin, raporton Anadolu Agency (AA).

Lavrov në konferencën e përbashkët për mediat me homologun e tij nga Jordania, Ayman Safadi, të zhvilluar pas takimit vlerësoi zhvillimet në lidhje me çështjen e Sirisë.

Ai duke theksuar se do të vazhdojnë dialogun e tyre me Jordaninë në lidhje me zonat e deeskalimit në jug të Sirisë, theksoi se duhet të zbatohet marrëveshja e arritur në lidhje me këtë rajon mes Rusisë, SHBA-ve dhe Jordanisë dhe të vazhdohet lufta kundër organizatave terroriste.

Lavrov tha se Rusia ka përmbushur detyrën e saj në jug të Sirisë, ndërsa në lidhje me transformimin e zonave të evakuara në të jetueshme nevojitet mbështetja ndërkombëtare.

“Kjo (tërhiqja e Iranit nga Siria) është absolutisht joreale dhe është e hapur që pa pjesëmarrjen e Arabisë Saudite, Jordanisë, Egjiptit dhe shumë shteteve kyçe në rajon duke përfshirë edhe Iranin nuk është e mundshme që të zgjidhen problemet në rajon”, tha kryediplomati, Lavrov, duke u përgjigjur në pyetjen për pretendimet se forcat iraniane do të tërhiqen nga Siria.

Kryediplomati rus në lidhje me çështjen Palestinë-Izrael tha se “Mënyra e vetme për të zvogëluar tensionin në territoret palestineze është përmes dialogut të drejtpërdrejtë ndërmjet palëve. Rusia është e gatshme që të ndihmojë për rifillimin e dialogut të drejtpërdrejt”.

Ndërsa ministri i jashtëm jordanez, Safadi, duke treguar se katastrofa humanitare e cila po përjetohet në jug të Sirisë është mjaft shqetësuese, tha se duhet treguar përpjekje për të siguruar armëpushim dhe ndihmë humanitare në rajon.