Serbia mirëpret investimet turke

Presidenti serb u shpreh se e përshëndeste interesin në rritje të Turqisë për të investuar në ekonominë e vendit ballkanik. 

Këto komente nga Aleksandër Vuçiç erdhën pas një takimi me ministrin e Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, në Serbi. 

“Investimet e kompanive turke në Serbi në dy vitet e fundit po rriten… Unë e mirëpres interesin e Turqisë për të investuar në ekonominë serbe, si dhe realizimin e një sërë investimesh në pjesët e pazhvilluara të Serbisë”, tha Vuçiç. 

Takimi u përqendrua në përmirësimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe ekonomik, si dhe çështjet rajonale dhe ndërkombëtare me rëndësi. 

Vuçiç shprehu kënaqësinë me nivelin e arritur të marrëdhënieve dypalëshe, që karakterizohen nga dialogu intensiv politik, bashkëpunimi i thelluar dhe besimi dhe respekti reciprok. 

Çavuşoğlu përcolli përshëndetjet e presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe ftoi presidentin Vuçiç të vizitojë Turqinë. 

Më parë, Çavuşoğlu u takua me biznesmenët turq në Serbi. 

Çavuşoğlu shprehu në Twitter kënaqësinë duke u shprehur se “vëllimi tregtar midis Turqisë dhe Serbisë po rritet me shpejtësi”. 

Çavuşoğlu shkoi në Serbi për të “mbajtur takime dypalëshe dhe përurimin e Konsullatës së Përgjithshme Turke në Novi Pazar”, tha ai më 30 gusht. 

Më shumë se 50 kompani turke kanë një vëllim total investimi prej 113 milionë dollarësh në Serbi, sipas Ministrisë së Jashtme turke.