Serbia do na japë 31 mijë tonë me grurë/ Vuçiç: Naftën do e fusim përmes portit të Durrësit

Shqipëria do të importojë nga Serbia 31 mijë tonë grurë dhe një sasi më të vogël misri.

Lajmin e ka bërë të ditur presidenti serb Alexandër Vuçiç, duke theksuar se në Serbi aktualisht nuk ka probleme me ushqimet bazë.

ALEXANDER VUÇIÇ

PRESIDENT I SERBISE

 

“Ukraina dhe Rusia së bashku sigurojnë rreth  22% të eksporteve globale në drithëra dhe sigurisht që do të jetë e vështirë për të gjithë ne. Megjithatë, qeveria do të miratojë një përjashtim, që në Shqipëri të shkojnë 31 mijë tonë grurë, dhe një sasi pak më e vogël misri. Çmimi është i qëndrueshëm, siç është rënë dakord. Serbia është e sigurt kur bëhet fjalë për grurin dhe misrin, edhe për t’ia ofruar rajonit dhe më gjerë.”

Vendimi i presidentit Vladimir Putin që pagesat për mallrat ruse të bëhen në rubla, ka ndikuar në rritjen e çmimit të naftës dhe gazit edhe në Serbi.

Për këtë arsye, Beogradi zyrtar është në bisedime me partnerë nga Lindja e Mesme për mundësinë e importimit të naftës duke e transportuar përmes portit të Durrësit.

“Jemi në bisedime me partnerët evropianë në mënyrë që Serbia të sigurojë sasi të mjaftueshme të naftës. Një problem shtesë është se nafta nuk mund të transferohet lehtë nëpër Detin e Zi, për shkak të kompanive të sigurimit dhe pasigurive, pasi ka një konflikt në zhvillim përreth Odesës. Po diskutojmë importin e naftës nga Lindja e Mesme nëpërmjet portit të Durrësit. Tani po shikojmë se si të organizojmë transportin, nëse kemi tanke dhe automjete, për ta bërë këtë.”

Serbia është 100 përqind e varur nga importi për naftën dhe gazin natyror, duke e siguruar atë përmes kontratave me vende të Bashkimit Evropian, si Gjermania dhe Kroacia.