Sekuestro e 1 milionë euro pasuri/ Llalla, rekurs në Gjykatën e Lartë

Ish- kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë për sekuestrimin e pasurisë së tij.

Ish- kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë për sekuestrimin e pasurisë së tij.

Dokumenti është depozituar nga avokati i tij Sokol Hazizaj pranë organit gjykues para disa ditësh, dhe lajmi bëhet i ditur nga vetë Gjykata e Lartë. Në kërkesë ai kërkon heqjen e sekuestros.

Ish kryeprokurori pretendon se bazuar në nenin 6 të Konventës Evropiane, është zhvilluar proces i parregullt ligjor. Më 9 gusht, gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda vendosi që pasuria e tij të vijojë të mbetet në sekuestro.

Avokati kërkon dhe njehësimin e praktikës, por nga ana tjetër burime për Top Channel, sipas gazetares Anila Hoxha thonë se Gjykata e Lartë nuk mund të shprehet për këtë çështje, pasi nuk ka trupa të mjaftueshme për këtë.

Vendimi u dha nga Idriz Mulkurti, në një kohë që ish-kryeprokurori është kthyer në Shqipëri, ndërsa avokati i tij është larguar me pushime jashtë vendit.

Gjyqtari i gatshëm, të cilit i kishte rënë shorti për shqyrtimin e kësaj çështjeje, kërkoi asistencën e një avokati kryesisht, për të cilin ka qenë e vështirë të gjendet, për sa kohë shumica e avokatëve që gjenden në listën e Gjykatës së Krimeve të Rënda janë gjithashtu me pushime, raporton TCh.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla u vendos nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, menjëherë pas valës së akuzave që iu drejtuan atij sapo dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë shqiptare.

Dorëheqja e tij solli në fakt edhe ndërprerjen e vettingut, që u bë gjithashtu shkak për të hapur një seancë dëgjimore, nëse duhej apo jo të ndërpritej vettingu, e sigurisht në këtë pikë ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla fitoi.