Sektori mbrojtjes i Turqisë po kontribuon në prodhimin e maskave mbrojtëse dhe respiratorëve që janë thelbësorë në luftën kundër koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Yasin Akdere, menaxheri i përgjithshëm i Korporatës së Industrisë Mekanike dhe Kimike, tha se të gjitha llojet e maskave prodhohen në fabrika, përfshirë maskat N95 që kërkohen nga personeli i kujdesit shëndetësor.
“Ne prodhojmë 6,5 milionë maska çdo javë në fabrikat tona. Kjo plotësohet nga punëtoritë tona të qepjes për ushtrinë duke arritur shifrën prej 10 milionë”, tha ai, duke shtuar se maskat janë me cilësi të nivelit të lartë.
Akdere gjithashtu tha se përpos maskave, ata prodhojnë 334.825 komplete të veshjeve mjekësore, 33.210 syze mbrojtëse, 377.100 doreza kirurgjikale dhe 41.400 litra dezinfektues.
Duke theksuar simptomat fatale të virusit, siç janë vështirësitë e mëdha gjatë frymëmarrjes, Akdere tha se pandemia globale ka rritur nevojën për respiratorë, duke rezultuar në impuls në të gjithë globin për të hulumtuar dhe prodhuar pajisjet.
Akdere tha se për shkak të rritjes së kërjesës, ata prodhuan një prototip të një respiratori vendas dhe e paraqitën atë te Ministria e Mbrojtjes.
“Ne planifikojmë të fillojmë prodhimin masiv muajin tjetër. Ne kemi kapacitetin për të prodhuar 500 respiratorë çdo javë”, tha ai.
Ai gjithashtu tha se pas plotësimit të kërkesave të brendshme, respiratorët do të adresojnë nevojat e aleatëve të Turqisë.
Virusi është përhapur në 185 vende dhe rajone që nga shfaqja në Kinë dhjetorin e kaluar. Mbi 2,72 milion raste janë raportuar në të gjithë botën, ndërsa numri i vdekjeve mbi 191.200, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins me qendër në SHBA.