Sanksionet ndaj Iranit do të shtojnë trafikun detar në ngushticat turke

Fillimi i sanksioneve amerikane ndaj naftës iraniane më 4 nëntor do ta orientojë tregun e Mesdheut nga nafta ruse dhe sipas parashikimeve kjo do ta intensifikonte edhe më shumë trafikun detar në Ngushticën e Stambollit dhe të Çanakalasë.

Vështirësitë, që do të lindin në përballimin e ofertës në tregun e Mesdheut për shkak të sanksioneve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) do të fillojnë të zbatojnë më 4 nëntor kundër naftës iraniane, do ta orientojnë tregun nga nafta ruse e Uraleve dhe sipas parashikimeve kjo do ta intensifikonte edhe më shumë trafikun detar në Ngushticën e Stambollit dhe të Çanakalasë.

Sipas raportit me titull “Embargoja kundër Iranit dhe ngushticat turke”, përgatitur nga Qendra për Hulumtime të Politikave të Energjisë në Universitetin Bilkent në Ankara (Bilkent EPAM), ndikimi i sanksioneve (amerikane) ndaj Iranit nisi të shfaqet që në 20 shtator duke prekur më shumë proceset e dorëzimit dhe pagesës.

Sipas raportit, për shkak të sanksioneve të imponuara ndaj Iranit, mungesa e furnizimit të tregut të Mesdheut me naftë, tregu do të orientohet nga nafta ruse e Uraleve dhe kjo do të rrisë trafikun detar në Ngushticat e Stambollit (Bosfor) dhe Çanakalasë (Dardanele).

Trafiku i shtuar i anijeve cisternë në ngushticat turke si dhe vonesat në dorëzimin e naftës bruto do të rrisin kostot e rafinerisë në tregun e Mesdheut. Kështu që do të kemi rritje të presionit të çmimeve mbi produktet e naftës në treg.

Nga ana tjetër, sipas të njëjtit raport, nuk është e mundur që deficiti i ofertës që do të shkaktojnë në treg sanksionet (amerikane kundër naftës iraniane) të kompensohet nga OPEC-u (Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës).

Arabia Saudite naftën e saj e dërgon në tregun aziatik të dominuar nga Kina, ndërkohë që Iraku e dërgon në tregjet evropiane dhe amerikane.

Për më tepër, nuk pritet që Arabia Saudite të rrisë prodhimin e saj në fushat naftëmbajtëse për shkak të problemeve teknike me të cilat do të përballet në një të ardhme afatmesme dhe afatgjatë. Gjithashtu vlerësohet se as Iraku nuk do të jetë në gjendje ta mbyllë këtë hendek, për shkak të kapacitetit eksportues në Basra (Gjiri Persik)./TRT