Sanksionet e SHBA-ve ndaj Venezuelës do të dëmtojnë tregun global të naftës

Ministri Quevedo tha se sanksionet e SHBA-ve dhe luftërat tregtare do të ndikojnë në çmimet e naftës në vitin 2019

 Ministri i Naftës i Venezuelës, Manuel Quevedo, ka deklaruar se sanksionet e SHBA-ve për kompaninë e naftës venezueliane PDVSA do të ndikojnë në mënyrë negative në tregun global, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë të transmetuar nga transmetuesi privat Televen, Quevedo i cili po ashtu është president i kompanisë së naftës, komentoi sanksionet e SHBA-ve të imponuara javën e kaluar ndaj kompanisë PDVSA dhe degë së saj amerikane Citgo.

Quevedo tha se sanksionet e SHBA-ve dhe luftërat tregtare do të ndikojnë në çmimet e naftës në vitin 2019.

“Ajo që ndodhi me Citgo është tërësisht e paligjshme, një vjedhje, e cila u përpoq me anë të sanksioneve”, u shpreh ai.

Vendi i Amerikës së Jugut është tronditur nga protestat që nga 10 janari kur presidenti Nicolas Maduro u betua për mandatin e tij të dytë pas një votimi të bojkotuar nga opozita.

Tensionet u rritën kur kreu i opozitës Juan Guaido u vetëshpall president i përkohshëm më 23 janar, një veprim i cili u mbështet nga SHBA-të dhe shumë vende të Evropës dhe Amerikës Latine.

Deri tani Maduro ka refuzuar këto thirrje, duke akuzuar SHBA-të për orkestrimin e një grusht shteti kundër qeverisë së tij.

Sanksionet e SHBA-ve ndaj kompanive të naftës në Venezuelë mund të shkaktojnë vështirë ekonomike për Maduro-n.

Ekspertët thonë se një sasi e konsiderueshme e parave të PDVSA-së janë në bankat e SHBA-ve.

Rrjedha e parave të gatshme të Venezuelës do të dëmtohet në mënyrë serioze, thonë ekspertët, pasi që 7 miliardë dollarë në asete pritet të bllokohen dhe së paku 11 miliardë dollarë të ardhura nga nafta do të humben gjatë vitet të ardhshëm.

Washingtoni po ashtu i dorëzoi Guaido-s kontrollet e llogarive të Venezuelës në bankat e SHBA-ve.

Maduro, i cili ka vazhduar politikat sociale të presidentit të vdekur Hugo Chavez, besohet se po përballet me një situatë të tmerrshme ekonomike dhe shkurtimi i ndihmës për të varfërit ka të ngjarë të vendos atë në një pozitë të vështirë.

Marrja e kontrollit të të ardhurave të naftës nga Maduro, baza e ekonomisë së Venezuelës, dhënia e tyre Guaido-s, si dhe vendimi për sanksione ndaj kompanive të naftës, është lëvizja më e guximshme e SHBA-ve deri tani për të rritur presionin mbi Maduro-n.

Që nga fillimi i krizës muajin e kaluar, Turqia ka qëndruar e vendosur pas Maduro-s, duke theksuar se njohja e Guaido-s është jodemokratike dhe përbën promovim të një grusht shteti.

Rusia, Kina, Irani, Bolivia dhe Meksika po ashtu kanë mbështetur Maduro-n.