Sandër Lleshaj: Askush nuk mund të vihet mbi zgjedhjet, bllokimi i tyre sakrilegj

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, deklaroi të premten nga Kukësi, se askush nuk mund të vihet mbi zgjedhjet, duke iu përgjigjur kështu deklaratës së opozitës jashtë Kuvendit për bllokim të zgjedhjeve.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, deklaroi të premten nga Kukësi, se askush nuk mund të vihet mbi zgjedhjet, duke iu përgjigjur kështu deklaratës së opozitës jashtë Kuvendit për bllokim të zgjedhjeve.

“Askush nuk mund të vihet mbi zgjedhjet! Askush! As partitë, as Qeveria, as Parlamenti, as Presidenti, as Kryeministri. Të gjithë duhet t’i nënshtrohen këtij institucioni të madh dhe kushdo që pretendon ta pengojë ditën e zgjedhjeve duhet të dijë që po bën sakrilegjin më të madh në të gjitha planet, në planin politik, në planin shoqëror, në planin moral, e të tjera me radhë”, – tha ministri i Brendshëm.

Duke folur për bllokimin e disa akseve rrugore nga opozita, Lleshaj kujtoi Kanunin dhe rrugën e madhe për të cilën flitet në Kanun. “Këtu jemi në Has, një rreth, një krahinë që ka shumë traditë dhe i njeh vlerat e bashkëjetesës dhe të komunitetit, një vend që njeh dhe Kanunin dikur dhe ka qenë një rregullator ligjor që rregullonte bashkëjetesën mes qytetarëve”, tha ministri i Brendshëm.

“Edhe në Kanun, por edhe në ligj, ekziston një paragraf shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me udhën e madhe. Udha e madhe nuk pritet kurrë. Është e drejta e kujtdo për të protestuar; edhe unë personalisht sot kam inkurajuar nxënësit e gjimnazit “Havzi Nela” të jenë kritikë, të mos jenë konformistë, të jenë kritikë me mësuesit, me qeverinë, me këdo, por të qenit kritikë, të qenit opozitarë nuk ka të bëjë fare, po fare me bllokimin e rrugëve. Bllokimi i rrugëve është degradim politik, degradim në të gjitha drejtimet. Nuk është bllokimi i rrugëve zgjidhja për çështjet politike, ka mënyra të tjera, jo bllokimi”, – shtoi ai.

“Është fare e thjeshtë. Nuk është zgjidhje, nuk mund ta mbysësh qeverinë duke bllokuar rrugët. Ka një mënyrë “për ta mbytur” qeverinë: duke fituar zgjedhjet, duke shkuar atje ku “mbytet” realisht qeveria, por nuk mund të “mbytet” qeveria, sepse duke bllokuar rrugët mbyten qytetarët, dhe kjo është gjëja që nuk pranohet. Gjej rastin këtu nga Hasi t’i bëj thirrje edhe një herë atyre autoriteteve përkatëse të opozitës apo kujtdo tjetër, të kthjellohen, t’i kthehen arsyes dhe të kthehen në parametrat normalë të politikës. Nuk është bllokimi i rrugëve, bllokimi i rrugëve është vepër e rëndë penale, e cila do të gjejë po ashtu përgjigjen e vendosur nga strukturat e Policisë së Shtetit, sepse strukturat e Policisë së Shtetit janë aty për t’u shërbyer të dy palëve, apo të 42-palëve nëse janë aq”, – nënvizoi Lleshaj.