Samiti i Berlinit, Merkel dhe Macron mbledhin liderët e Ballkanit

Në Berlin nis sot Konferenca e Ballkanit Perëndimor, e një njohës i politikave rajonale, ish-politikani gjerman Christian Schwarz-Schilling mendon se, ky samit ka potencialin e çeljes së një kapitulli të ri.

Në Berlin nis sot Konferenca e Ballkanit Perëndimor, e një njohës i politikave rajonale, ish-politikani gjerman Christian Schwarz-Schilling mendon se, ky samit ka potencialin e çeljes së një kapitulli të ri.

“Asnjëherë – kujton ai, – dy kombet më të mëdhaja e më të rëndësishme, Gjermania dhe Franca nuk kanë dërguar një ftesë të përbashkët më parë te krerët e Ballkanit Perëndimor, me qëllimin të flitet hapur dhe me përgjegjësi për të ardhmen e përbashkët”.

Edhe pse i kanë kapërcyer konfliktet e dhunshme, gjendja në vendet ballkanike sipas tij është serioze, sepse atje ende zhvillohen luftëra ideologjike,raporton Top Channel.

Milorad Dodik, kreu i Republikës Srpska në Bosnje-Hercegovinë, kërcënon prej vitesh shkëputjen dhe krijimin e një shteti më vete.

Në këtë përpjekje, ai punon ngushtë së bashku me partinë nacionaliste të kroatëve, HDZ, duke e mbështetur fort kreun e kësaj partie, Dragan Čović, në përpjekjen për të krijuar një etnitet të tretë në Bosnje-Hercegovinë, me synim përçarjen e mëtejshme të Federatës.

Qëllimi është që rajonet e Federatës që banohen me shumicë nga kroatët, në plan afatgjatë t’i kalohen Kroacisë.

“Perëndimi – thotë Schwarz-Schilling, – duhet të veprojë e nuk duhet të ketë më kufij të rinj. Kjo prek dhe Kosovën e Serbinë”.

“Ambicie të grupeve të caktuara për ndarje të tjera në rajonin e Ballkanit sipas ‘kritereve etnike’ – vazhdon ai, – duhet që të përjashtohen në të ardhmen njëherë e përgjithmonë, sepse në këtë rajon nuk duhet të përsëriten kurrë më luftërat e viteve ’90”.

Problemet e permendura prej tij prekin edhe të ardhmen e vendeve të tjera fqinje të Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Në fund i dërgon edhe një apel Kancelares Merkel dhe Presidentit Macron, që ta kapin rastin me këtë konferencë, duke e konsideruar si mundësinë e të gjithëve për Europën.