Sali Berisha: PD ka kaluar nga humbja në humbje për shkak të Bashës

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zgjedhur Vlorën për t’u takuar me mbështetësit e tij për nismën që ai quan “Foltorja”.

Sipas tij, kjo nismë synon ritkhimin e partisë në vlerat mbi të cilat është themeluar.

Ai u prit me ovacione nga mbështetësit. Berisha tha se bashkë me demokratët do vijojë betejën për ta ngritur PD-në dhe opozitën aty ku e meriton.

“Jemi mbledhur të betuar, për të ngritur PD dhe të djathtën në vendin që ajo meriton,”- theksoi ish-kryeministri.

Berisha u shpreh se Partia Demokratike ka kaluar nga humbja në humbje dhe kjo shtoi ai ka një përgjegjës kryesor;Lulzim Bashën.

“Ne si opozitë kaluam nga dështimi në dështim, kjo është vërteta, që ne duam ta shohim të keqen në sy. Pse kjo? Jo se ju nuk derdhët djersë, jo se ju nuk qëndruat, por sepse drejtimi i PD u mbajt nga një njeri, i cili në tetë vite nuk arriti dot të marrë dhe të të sigurojë as votat e 2013”, shtoi Berisha.

Ai u ndal edhe tek zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, e ku tha se këto janë rezultat i projekteve të “Minishengenit” dhe “Open Balkan”.

“Ja ku janë rezultatet miqtë e mi, rezultatet e Minishengenit janë tanket në kufijtë e Kosovës, janë bombarduesit e Beogradit në kufijtë e Kosovës, dhe heshtja e varrit ndaj projekteve të Soros dhe Edi Ramës, por mjerisht edhe e ish-kryetarit të PD Lulzim Basha. Ne nuk jemi komb jetim”, tha Berisha, referuar situatës në veri të Kosovës.

Aktivistja Evi Kokalari tha se ka ardhur nga SHBA në Shqipëri enkas për të mbështetur ish-kryeministrin e Shqipërisë, e ku shtoi se tashmë Lulzim Bashës i ka mbetur vula dhe logoja e partisë, sepse baza është në mbështetje të Berishës.

“Unë kama ardhur në Shqipëria vetëm për juve. Bashës i ka ngelur vetëm logoja dhe vula se baza është këtu me ne”, tha aktivistja Evi Kokalari.

Kryetar i PD Vlorë, Genc Deromemaj, ka shprehur mbështetjen për Berishën. Ai është drejtuesi i dytë lokal, pas kryetarit të PD Fier, Luan Baçi, që del krah ish-kryetarit të PD-së.

Berisha ka deklaruar nismën “Foltorja” me aktivitete në gjithë rrethet për të grumbulluar 1,500 firma të nevojshme për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së. Kuvendi është konsideruar nga ish-kryetari si organi, që mund të vërë në diskutim pozitën e kryetarit aktual Basha.

Lëvizja e Berishës erdhi pasi Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar. Basha e ka arsyetuar përjashtimin me presionin nga SHBA pas shpalljes së Berishës “non grata”.

Por Berisha e ka konsideruar si vendim të njëanshëm, marrë pa konsultimin e bazës dhe që tregon, sipas tij, se ai “është peng i Kryeministrit Rama”.