Sa kushtojnë reklamat në Botëror

Praktika për blerjen e të drejtave për ndeshjet e futbollit ose sportit në përgjithësi bëhet me konkurrim të hapur ndërkombëtar, në rastin konkret nga FIFA.
Termi “të drejta ekskluzive transmetimi” tashmë nuk mund të konsiderohet më si më parë. Me ndryshimet teknologjike, edhe mundësia e transmetimit është më e gjerë se më parë, tashmë ky treg ofron gjithnjë e më shumë të drejta.

P.sh., para disa vitesh, njiheshin të drejtat e transmetimit vetëm për “Free to Air”, kurse tani ka të drejta për Free to air, Pay TV, IPTV, Mobile, Radio, PublicView. Këto të drejta, në vetvete, janë ekskluzive në formatin që transmetohen, e si rrjedhojë janë për një territor të caktuar, mund t’i disponojnë disa media, Ofrues Interneti, kompani mobile etj.

– E drejta ekskluzive për transmetimin e drejtpërdrejtë të ndeshjeve.

– E drejta ekskluzive për transmetimin e vonuar (Delayed) të ndeshjeve

– E drejta ekskluzive për transmetimin e përmbledhjeve ditore të ndeshjeve të zhvilluara.

– Një sërë të drejtash lidhen edhe me fashat reklamuese përpara dhe pas secilës ndeshje të FIFA 2018, si dhe së drejtës për të ftuar sponsorë komercialë që mbështesin financiarisht transmetimin, kundrejt kohës televizive të vënë në dispozicion për transmetimin e reklamave të ndryshme.

– E drejta e transmetimit në organizime në vende publike

Reklamat

Sipas Ofertës Zyrtare të Radio Televizionit Shqiptar, për tre fazat e para kualifikuese të Botërorit, duke marrë si njësi sekondën, çmimet nisin nga 15 euro/sek (pas pjesës së dytë) e deri në 60 euro/sek (ky i fundit i referohet hapësirës 10 sekondëshe “before kickoff”, reklamë që për faktin se ka kohëzgjatje 10 sekonda, është e faktorizuar me 1.5, faktorizim për spotet me kohëzgjatje më të vogël se 30 sek.)

Hapësira e emërtuar “before kickoff”, që bëhet fjalë për kohën para nisjes së himnit për skuadrat, ka çmime më të shtrenjta, për faktin se është brenda kohës së ndeshjes, ku audienca ka vëmendjen më të madhe. Reklamat janë të kufizuara dhe jo më të gjata se 10 sekonda.
Për tre fazat e para kualifikuese në këtë hapësirë kemi 3 nivele çmimesh në euro për sekondë: 45 euro (30×1.5); 52.5 euro (35×1.5) dhe 60 euro (40×1.5); Ndërsa në gjysmë finale, çmimi për sekondë) arrin 120 euro (80×1.5) për të arritur në çmimin më të shtrenjtë në finale në 180 euro për sekondë (120×1.5).

Oferta ka diversifikim të çmimeve, edhe sipas ndeshjeve ku midis të tjerave vihet re se në përballjen mes Serbisë dhe Zvicrës (22 qershor) është në ndeshjet me çmimet më të larta. Kjo për shkak se pritet të ndiqet nga një audiencë e madhe dhe të përfshirë me emocione duke qenë se në formacionin e Zvicrës luajnë 4 shqiptarë. Po ashtu, edhe në ndeshjen më 17 qershor të Brazil-Zvicër.
Çmimet më të lira për reklamë me njësi sekondë janë në hapësirë pas pjesës së dytë të ndeshjes, me minimum 15 euro/sekondë (e pafaktorizua, për spot 30 sekonda).

Sa u përket informacioneve për spotet, në të gjitha ndeshjet e Botërorit, hapësirat e tjera (përveç before kickoff), lidhur me çmimet nga më i larti tek më i ulëti, janë respektivisht:

Para pjesës së dytë (min 28 euro/ sek ose 840 euro për 30 sekonda dhe max: 110 euro/sek ose 3’300 euro për 30 sekonda)

Pas pjesës së parë (min 25 euro/sek ose 750 euro për 30 sekonda dhe max: 100 euro/sek ose 3’000 euro për 30 sekonda)

Para pjesës së parë (min 22 euro/sek ose 660 euro për 30 sekonda dhe max: 75 euro/sek ose 2’250 euro për 30 sekonda)

Pas pjesës së dytë (min 15 euro/sek ose 450 euro për 30 sekonda dhe max: 70 euro/sek ose 2’100 euro për 30 sekonda)

Hapësira të reklamës ofrohen edhe gjatë emisioneve sportive apo bisedave në studio./Monitor