Rusia prek kualifikimin, Salah nuk mjafton për Egjiptin

Salah rikthehet me humbje, Rusia me një këmbë në 1/8-at

Rusia vijon të bindë, teksa mposhti edhe Egjiptin e Muhamed Salah me rezultatin 3-1, në ndeshjen e dytë të zhvilluar në këtë edicion të kampionatit Botëror.

Vendi organizator i Botërorit prek kështu kualifikimin për në fazën e 1/8-ave, të cilin e ka arritur praktikisht, ndërsa nesër mund ta sigurojë edhe matematikisht.

Në sfidën e mbrëmjes në Shën Petersburg, Egjipti ia doli të rezistojë në 45 minutat e parë, për të pësuar 3 gola në pjesën e dytë.

Në dy ndeshjet e para, Rusia ka shënuar më sulm gola se sa Spanja realizoi në 2010 për të fituar Kupën e Botës. Në total, ata kanë shënuar më shumë gola se sa çdo shtet tjetër pritës të këtij kompeticioni që nga nisja fantastike e Italisë në 1934. Për më tepër që po luajnë futboll të bukur.

Nëse i thua dikujt se sa e tmerrshme ishte Rusia para nisjes së kompeticionit, vështirë se do të besojë.

Kur botërori nisi, Denis Cherishev nuk mund të futej në ekip, kurse tani është golashënuesi më i mirë i turneut, bashkë me CR7.

Në pjesën e parë të dyja kombëtaret dhanë pak nga potenciali i tyre. Rusia u shfaq disi më superiore, por organizatorëve të kompeticionit u mungoi finalizimi. Kurse Egjipti e pati të vështirë që t’i afrohej portës së mbrojtur nga Akinfeev. Salah pati një mundësi të mirë, por gaboi. Lojtari i Liverpool në 45 minutat e para preku më pak topa se çdo futbollist tjetër i ekipit. Ndërkohë që për rusët rrezikoi Cheryshev.

Fillimisht ishte Fathy që devijoi në portën e tij një gjuajtje të rusëve, ndërsa më pas Cheryshev dhe Dzyuba në minutat 59 dhe 62, trefishuan avantazhin.

Në minutën e 73-të, VAR ndërhyri për të akorduar një penallti në favor të Egjiptit, të cilën e ekzekutoi saktësisht sulmuesi kryesor i tyre, Muhamed Salah, duke çuar shifrat në 3-1, rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fund të ndeshjes.