Rusia përjashtohet nga sistemi ndërkombëtar bankar SWIFT

Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar deklaruan të shtunën se do të përjashtojnë disa banka ruse nga sistemi ndërkombëtar SWIFT, ndëshkim i cili pritet të jetë më efikas sesa sanksionet ekonomike.

Disa aleatë të Europës kanë shprehur shqetësimin se shkëputja e bankave ruse nga sistemi i transaksioneve financiare globale do të sillte pasoja ekonomike , raportoi media amerikane Axios.

“Së pari, ne angazhohemi që të garantojmë se disa banka ruse do të përjashtohen nga sistemi i mesazheve SWIFT”, thuhej në deklaratën e tyre të përbashkët.

“Kjo do të garantojë shkëputjen e këtyre bankave nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe do të ulë mundësitë e tyre për të kryer aktivitete në mbarë botën”.

“Së dyti, ne angazhohemi në vendosjen e masave kufizuese që do të parandalojnë Bankën Qendrore ruse që të përdorë rezervat e saj ndërkombëtare në forma që cenon impaktin e sanksioneve tona”, thuhej më tej në deklaratë.

Një ndër bankat e shënjestruara është edhe Banka Qendrore e Rusisë.

Sistemi SWIFT është një rrjet i sigurisë së lartë që lidh mijëra institucione financiarë në të gjithë botën.