“Rusia në koordinim të ngushtë me Turqinë në Siri”

Zakharova njoftoi se një takim në formatin e Astanas, lidhur me përpjekjet e mëtejshme për të garantuar paqen në Siri, do të zhvillohet në Moskë "në kohë shumë të afërt"

Rusia koordinon ngushtë veprimet e saj në Siri me Turqinë, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne i koordinojmë ngushtë pikëpamjet tona dhe zbatimin e një politike konkrete në Siri me kolegët tanë turq, si në politikën e jashtme, ashtu edhe lidhur me operacionet ushtarake kundërterroriste në terren”, tha Zakharova në një konferencë shtypi në Moskë.

Zakharova njoftoi gjithashtu se një takim në formatin e Astanas, lidhur me përpjekjet e mëtejshme për të garantuar paqen në Siri, do të zhvillohet në Moskë “në kohë shumë të afërt”.

“Tri vendet garantuese të formatit të Astanas mbajnë kontakte intensive përmes kanaleve të ndryshme. Me rëndësi të veçantë janë takimet e krerëve të shteteve, si dhe ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes. Bashkëpunimi kryhet në baza dypalëshe dhe trepalëshe. Mund të them se kontakte të tilla janë planifikuar në të ardhmen e afërt dhe do të zhvillohen në Moskë”, tha ajo.

Më herët, ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu ka informuar për një vizitë të planifikuar në Moskë në fund të dhjetorit.