Rusia kërkon ekstradimin e Svetlana Timovevas, Ministria e Drejtësisë i dorëzon Prokurorisë së Elbasanit dokumentin zyrtar

Ministria e Drejtësisë i ka dërguar kërkesën zyrtare të autoriteteve gjyqësore të Federatës Ruse Prokurorisë së Elbasanit për ekstradimin nga Shqipëria në Rusi të shtetases ruse Svetlana Timoveva.

Aktualisht ajo është është e paraburgosur nën masën e sigurimit “Arrest në burg”.

Kur është njohur me kërkesën e ekstradimit, ajo ka refuzuar të pranojë me dëshirë kthimin në vendin e saj.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka marrë, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, kërkesën zyrtare të autoriteteve gjyqësore të Federatës Ruse për ekstradimin nga Shqipëria në Rusi të shtetases ruse Svetlana Timofeeva.

Kjo shtetase aktualisht është e paraburgosur nën masën e sigurimit “Arrest në burg” caktuar për nevoja të procedimit penal nr.1168, viti 2022 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.

Nga aktet e përcjella nga autoritete ruse të drejtësësi rezulton se shtetësja ruse Svetlana Timofeeva, lindur më 18.03.1989, është person i shpallur në kërkim në Rusi për veprën penale të “Marrje e paligjshme e informacionit që përbën sekret shtetëror”, parashikuar nga pika “a”, paragrafi 2 të nenit 283 të Kodit Penal Rus.

Kërkesa e autoriteteve ruse për ekstradim bazohet në vendimin datë 25.08.2022 të Gjykatës së Qarkut Meshchansky, Moskë, me të cilin është caktuar masa e sigurimit “Arrest ne burg”, për veprën penale të sipërcituar.

Në zbatim të nenit 492 të K.Pr.Penale, nga prokurori, është marrë kontakt me shtetasen ruse për të cilën kërkohet ekstradimi Svetlana Timofeeva, e cila ka refuzuar të japë pëlqimin për ekstradimin e saj në Rusi.

Në vijim të veprimeve procedurale, më datë 10.01.2023, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka dorëzuar në gjykatë kërkesën me objekt : marrjen në shqyrtim të kërkesës së autoriteteve ruse për ekstradimin nga Shqipëria në Rusi të shtetases ruse Svetlana Timofeeva”, sipas njoftimit.

Fund gushtin e vitit të shkuar Svetlana Valerevna Timoveva bashkë me Mikhail Zorin dhe Fedis Alpatov tentuan të hynë në ish uzinën ushtarake në Gramsh dhe hodhën spray djegës tek rojet ushtarake të objektit.

Pas arrestimit dhe ngritjes së akuzave për spiunazh atyre u është caktuar masa e arrestit me burg masë e lënë në fuqi edhe nga apeli Durrësit.

Hetimet për aktivitetin e tyre janë shtyrë nga prokuroria e Elbasanit në pritje për ta çuar çështje për gjykim