Rusia injoron ShBA-të dhe Izraelin, instalon sistemin raketor S-300 në Siri

Rusia ka përfunduar dërgimin e një sistemi raketash sipërfaqe-ajër, S-300 në Siri, veprim ky në kundërshtim me shqetësimet e Izraelit dhe SHBA-së, se shitja e armëve do të inkurajonte Iranin dhe do të përshkallëzonte luftën siriane.

Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu i tha Presidentit Vladimir Putin gjatë një takimi të transmetuar nga Rossiya 24 TV se “puna u përfundua të hënën me sukses”, duke shtuar se sistemi do të përmirësonte sigurinë e personelit ushtarak rus në Siri,raporton Top Channel.

Rusia vendosi të dërgonte sistemin raketor pasi Moska akuzoi Izraelin se në mënyrë indirekte shkaktoi rrëzimin e një avioni ushtarak rus, pranë Sirisë në muajin shtator.

Izraeli shprehu keqardhje për vdekjen e 15 anëtarëve të ekuipazhit ajror të Rusisë, duke fajësuar paaftësinë siriane për këtë, ndërsa ka theksuar se është e detyruar të vazhdojë të veprojë kundër vendosjes së dyshuar të forcave të mbështetura nga Irani, në të gjithë kufirin e saj verior.

Shtëpia e Bardhë më parë tha se shpresonte që Rusia të rishqyrtojë masën, të cilën Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara John Bolton e quajti një “përshkallëzim domethënës” të luftës shtatëvjeçare të Sirisë.