Ruçi uron homologun Şentop për 100-vjetorin e themelimit të Kuvendit të Turqisë

Në letrën e tij kryeparlamentari Ruçi thekson se krijimi i Asamblesë së Madhe Kombëtare ishte një sukses shumë i rëndësishëm i Turqisë dhe sipas tij, hodhi themelet për një republikë të pavarur, laike e moderne

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, i ka dërguar sot një letër urimi kryeparlamentarit turk, Mustafa Şentop, me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit nga Kuvendi i Shqipërisë, në letrën e tij kryeparlamentari Ruçi thekson se krijimi i Asamblesë së Madhe Kombëtare ishte një sukses shumë i rëndësishëm i Turqisë dhe sipas tij, hodhi themelet për një republikë të pavarur, laike e moderne si edhe zhvillimin dhe mirëqenien e popullit turk.

“Me rastin e 100-vjetorit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, e cila u mblodh për herë të parë në vitin 1920 në Ankara, në emrin e Kuvendit të Shqipërisë si edhe në emrin tim personal, Ju uroj suksese të mëtejshme në zhvillimin dhe përparimin e Turqisë, konsolidimin e jetës parlamentare dhe institucioneve të tjera demokratike”, thuhet në letrën e Ruçit.

Gjithashtu Ruçi thekson se: “Populli shqiptar dhe Kuvendi i Shqipërisë gëzohen sinqerisht për arritjet e Turqisë mike dhe i urojnë avancim të mëtejshëm në rrugën e progresit dhe demokracisë si edhe kontributin e madh për zhvillimin, paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon e më gjerë”.

Sipas Ruçit, 100-vjetori i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë kremtohet në një kohë të vështirë për Turqinë, por edhe për të gjitha vendet e botës. “Turqia, ashtu si edhe Shqipëria dhe gjithë popujt në planet, janë përfshirë në një betejë për mbrojtjen e jetëve njerëzore prej përhapjes së pandemisë së COVID-19. Ne, shqiptarët, ndjekim me vëmendje betejën e mjekëve, institucioneve dhe popullit vëlla turk kundër këtij rreziku dhe gëzohemi për mbrojtjen e shpëtimin e çdo jete njerëzore”, shkruan në letrën e tij kryeparlamentari i Shqipërisë.

“Të shpreh edhe njëherë urimet e mia më të sinqerta me rastin e 100-vjetorit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë dhe të shpreh besimin se bota dhe vendet tona shumë shpejt do ta fitojnë këtë betejë dhe Kuvendi i Shqipërisë dhe Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë do të vazhdojnë bashkëpunimin e shkëlqyer midis tyre”, përfundon letrën e urimit Ruçi, drejtuar homologut turk, Mustafa Şentop.

Turqia sot shënon 100-vjetorin e themelimit të Kuvendit të Madh Popullor (TBMM) dhe në të njëjtën kohë, festën e Sovranitetit Kombëtar dhe Fëmijëve. Festa shtetërore e Sovranitetit Kombëtar dhe Ditës së Fëmijëve festohet më 23 prill, në ditën kur në vitin 1920 u hap Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë.