Ruçi takim me një delegacion të Parlamentit të Malit të Zi

Ruçi gjatë takimit ka theksuar se Shqipëria sugjeron që partive politike shqiptare t’u krijohet më shumë hapësirë përfaqësimi në Parlamentin e Malit të Zi, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, realizoi një takim me një delegacion të Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Emigrantët të Parlamentit të Malit të Zi, kryesuar nga kryetari i këtij komisioni, Andrija Nikoliç, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeparlamentari Ruçi gjatë takimit ka theksuar se Shqipëria sugjeron që partive politike shqiptare t’u krijohet më shumë hapësirë përfaqësimi në Parlamentin e Malit të Zi, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë.

“Vullneti politik për zgjerimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve, duhet të pasqyrohet në rritjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, duke shmangur zvarritjet e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara, për të cilat pala shqiptare është shumë e gatshme dhe e përkushtuar për t’i ratifikuar. Ne nxisim Qeverinë e Malit të Zi për më tepër investime në zonat e banuara nga shqiptarët, për zbatimin e planeve zhvillimore që mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës, në funksion të ndalimit të emigrimit dhe shpopullimit të këtyre zonave”, ka theksuar Ruçi.

Nikoliç, sipas njoftimit, shprehu vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit midis dy parlamenteve dhe komisioneve përkatëse.

“Ne mund të bashkëpunojmë shumë mirë për të dhënë përvojën tonë në përgatitjen dhe zhvillimin e negociatave të anëtarësimit, duke ofruar praktikat tona më të mira e të suksesshme”, është shprehur Nikoliç gjatë takimit.

Më tej theksohet se Ruçi dhe Nikoliç u shprehën optimist se bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Malit të Zi po forcohet në kontekstin e ri rajonal, në rritjen e besimit reciprok dhe çlirimin e vendeve të rajonit prej inercive të së kaluarës, çka tregoi, sipas tyre, edhe ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës nga Parlamenti i Maqedonisë dhe Parlamenti i Greqisë.

Delegacioni i Parlamentit të Malit të Zi do të realizojë takime edhe me zyrtarë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë, për të diskutuar rreth bashkëpunimit mes dy vendeve, sidomos mes dy parlamenteve.