Ruçi: Synojmë të pakësojmë numrin e të varfërve në Shqipëri

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, tha se aktiviteti është organizuar për të shkëmbyer mendime si dhe për të forcuar lidhjen midis politikave të zhvillimit dhe luftës kundër varfërisë

Me rastin e Ditës Botërore kundër Varfërisë, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, organizoi një tryezë diskutimi, ku gjatë fjalës së tij deklaroi se objektivi është të pakësohet numri i të varfërve në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin e organizuar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë ishin të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë, deputetë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile si dhe ekspertë të çështjeve të zhvillimit ekonomik e shoqëror dhe politikave publike.

Në fjalën e tij, kryeparlamentari Ruçi tha se aktiviteti është organizuar për të shkëmbyer mendime si dhe për të forcuar lidhjen midis politikave të zhvillimit dhe luftës kundër varfërisë.

“Siç dihet më 4 dhjetor të 2017 Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të axhendës 2030 të shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Është e nevojshme të reflektojmë dhe të rrisim mbështetjen e Kuvendit për përmirësimin e legjislacionit në këto fusha. Gjatë 5 viteve të fundit qeveria ka ndërmarrë disa reforma të rëndësishme lidhur me problemin e mirëqenies siç është ajo e pensioneve dhe punësimit, ndihmën e shërbimeve sociale dhe luftën kundër informalitetit. Rritja ekonomike në kufijtë e 4 për qind e shoqëruar dhe me rritjen e punësimit në kufijtë e 8 për qind janë një garanci e mirë për rritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë”, tha Ruçi.

Sipas tij, lufta kundër informalitetit shtoi në fondin e pensioneve rreth 200 mijë kontribues të formalizuar apo të punësuar të rinj edhe pse sipas Ruçit ky zhvillim nuk është përkthyer tërësisht në mirëqenie për qytetarët. Ai theksoi se është e nevojshme që të punohet që varfëria të ulet, kryesisht nëpërmjet zhvillimit dhe shtimit të pasurisë kombëtare.

Më tej gjatë fjalës së tij, kryeparlamentari Ruçi tha: “Problemi i vendit tonë nuk është as pasuria as të pasurit, siç keq interpretohet te interesat e ditës në rrafshin politik, por problemi për ne është varfëria dhe të varfërit. Ne nuk synojmë të pakësojmë numrin e të pasurve, por për ne objektivi është të pakësojmë numrin e të varfërve. Të pasurit duhet të paguajnë taksat një për një, kurse të varfërit duhet t’i nxjerrim nga varfëria, duke i rikthyer në tregun e punës.”