Ruçi përplaset me Ramën, kritika të forta ministrave për cilësinë e ligjeve

Krisen marrëdhëniet në qeveri. Teksa kryeministri Edi Rama është shprehur i pakënaqur nga puna e kabinetit qeveritar, duket se të njëjtin qëndrim mban edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Krisen marrëdhëniet në qeveri. Teksa kryeministri Edi Rama është shprehur i pakënaqur nga puna e kabinetit qeveritar, duket se të njëjtin qëndrim mban edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Gjatë mbledhjes së fundit të Konferencës së Kryetarëve të zhvilluar për këtë sesion parlamentar, Ruçi ka shpërthyer në akuza kundër ministrave dhe zëvendëskryeministres, Senida Mesi, pasi sipas tij ligjet që depozitohen në Kuvend nuk janë të sakta dhe në nivelin e Bashkimit Evropian. Gazeta ka arritur të sigurojë procesverbalin e kësaj mbledhjeje, ku vihet re se shkak për debatin brenda qeverisë është bërë një konstatim i Ermonela Felajt për një projektligj, i cili sipas saj, ishte shumë i ngarkuar me terminologji teknike dhe i mungonte tabela e përputhjes. Pikërisht pas këtij momenti ka ndërhyrë kryeparlamentari duke i tërhequr veshin Senida Mesit dhe ministrave. “Duhet të bëni një kujdes zonja Zëvendëskryeministre, veçanërisht pas daljes së vendimit të fundit të Këshillit të Bashkimit Europian. Tradicionalisht, por veçanërisht këtë vit kalendarik, duhet të keni në qendër të vëmendjes tabelën e përputhshmërisë së legjislacionit. Këtë ta keni të prerë dhe të mos ketë absolutisht asnjë lëshim në këtë drejtim. Edhe Ju si Zëvendëskryeministre për marrëdhëniet me parlamentin edhe me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe përfaqësuesit e saj, duhet të ktheheni në gardianë të kësaj çështjeje përpara se ligji të depozitohet në Parlament”, tha Gramoz Ruçi.

Paralajmërimi i Ruçit

Kryetari i Kuvendit lëshoi edhe një paralajmërim të fortë për kabinetin qeveritar, duke deklaruar se në rast se ligjet nuk janë sipas standardit të Bashkimit Evropian, atëherë ato do të kthehen mbrapsht. Madje Ruçi ishte mjaft i prerë në paralajmërimin e dhënë. Në këtë mënyrë, nëse ligjet kthehen mbrapsht, ato as diskutohen dot nëpër komisionet parlamentare, as kalohen dot në votim dhe as miratohen në Parlament. “Është një gjë shumë e mirë që Komisionin e Integrimit, që ndjek këtë çështje e ka opozita, por pavarësisht anëtarët tanë duhet të bëhen gardianë të kësaj çështjeje. Kjo është një nga funksionet tona si parlamentarë, prandaj të mos kemi fjalë. Në qoftë se do të mungojë tabela e përputhshmërisë do të kthehen ligjet mbrapsht, ta dini këtë, pasi nuk mund të bëjmë sikur nuk e di, sikur nuk e shikon, sikur s’e dëgjon, sikur s’e kupton, as deputetët, as komisionet dhe as seanca e parlamentit. Këtë duhet ta keni të prerë si qeveri!”, deklaroi kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Përmes këtyre paralajmërimeve dhe deklaratave Ruçi në një farë mënyre i drejtohet edhe kryeministrit Edi Rama, raporton Sot.

Ky i fundit dihet që është shefi dhe kontrollori i të gjithë qeverisë e i punës së ministrave të tij e për këtë arsye kritikat e Ruçit adresohen tek Rama. Gramoz Ruçi shpreh shqetësim për cilësinë dhe korrektësinë e ligjeve që depozitojnë ministrat sepse për një vend që aspiron të bëhet anëtar i familjes evropiane duhet që edhe ligjet të jenë sipas standardit të Bashkimit Evropian. Për më tepër që pas vendimit për negociatat për vendin tonë dhe me nisjen e procesit të “screening” ligjet janë në lupë të ndërkombëtarëve.