‘Rrugët’/ ARRSH tender 32 mln euro për zgjerimin e Elbasan-Qafë Thanë dhe Ura e Cerencit-Peshkopi

Autoriteti Rrugor Shqiptar parashikon ndërhyrje në dy rrugë në vend, ku e para është zgjerimi i Elbasan-Qafë Thanë, faza e dytë segmenti nga Ura e Cerencit në Peshkopi për sistemim dhe asfaltim. Fondi limit për të dyja procedurat është rreth 3.7 miliardë lekë, apo mbi 32 milionë euro. Por cilat janë në fakt specifikimet e…

Autoriteti Rrugor Shqiptar parashikon ndërhyrje në dy rrugë në vend, ku e para është zgjerimi i Elbasan-Qafë Thanë, faza e dytë segmenti nga Ura e Cerencit në Peshkopi për sistemim dhe asfaltim.

Fondi limit për të dyja procedurat është rreth 3.7 miliardë lekë, apo mbi 32 milionë euro. Por cilat janë në fakt specifikimet e secilit projekt.

Referuar raportit teknik, kontrata zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë – Thanë (Faza II) parashikon ndërhyrjen në gati 50 kilometra rrugë. Fondi limit është rreth 2.5 miliardë lekë.

Nga ana e Investitorit (ARRSH) kërkohet që të realizohet një ndërhyrje në përmirësimin e kushteve të lëvizjes në segmentin ekzistues rrugor nga dalja e qytetit të Elbasanit deri në Qafë Thanë.

“Gjatësia totale e projektit është 50.12 km. Kjo rrugë u shërben banorëve jo vetëm të zonës midis Elbasanit dhe Korçës, por edhe të gjithë turistëve vendas dhe të huaj, të cilët frekuentojnë zonën e Pogradecit dhe Korçës, si dhe shtetasve të huaj dhe vendas të cilët lëvizin në drejtim të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Rruga nacionale ekzistuese Elbasan – Qafë Thanë, me gjerësi totale 9 – 9.5m (8 m gjerësi asfalti dhe bankina me gjerësi 0.5-0.75).

Rruga ekzistuese ka nevojë për ndërhyrje në elementet gjeometrikë, shtresat rrugore, në sistemin e trotuarëve, ndriçimit rrugor të zonave urbane, sistemin e kanalizimeve të ujërave të shiut, sinjalistikë vertikale dhe horizontale” thuhet në raportin teknik.

Ndërkohë edhe aksi i dytë me një fond limit më shumë se 1.2 miliardë lekë, përfshirë në kontratën me objekt “Sistemim asfaltim rruga Ura e Cerenecit – Peshkopi (Peshkopi – Maqellarë), Loti 3” konsiderohet i rëndësishëm.

“Segmenti rrugor Peshkopi – Herbel është pjese e rrugës nacionale Peshkopi – Tiranë. Kjo rrugë është aksi kryesor që bën të mundur lidhjen e qytetit të Peshkopisë me Tiranën dhe qytetet e tjera të vendit, si dhe me një pjesë të madhe të fshatrave të Dibrës.

Gjithashtu, ky segment është një pikë kyçe e lidhjes me Maqedoninë e Veriut nëpërmjet Doganës së Bllatës.

Pra kjo rrugë është pika kyçe e komunikimit të Qarkut Dibër me rajonet e tjera të vendit.

Kohët e fundit kjo rrugë po aksesohet gjithmonë e më shumë edhe nga turistë vendas e të huaj, sidomos gjatë periudhës së verës për të shijuar turizmin malor dhe atraksionet e ndryshme të zonës.

Ndaj studimi dhe përmirësimi i këtij aksi merr një rëndësi të veçantë dhe është bërë tashmë e domosdoshme” thuhet në dokumentet e ARRSH.

Rruga fillon në kilometrin 0 në fshatin Herbel në drejtim të Peshkopisë dhe përfundon në kilometrin 8.52, ku bashkohet me unazën e qytetit Peshkopi.

Gjurma e rrugës do të ndjekë pjesërisht gjurmën e rrugës ekzistuese dhe në shumë vende të tjera do të ketë gjurmë tërësisht të re, duke eliminuar një pjesë të madhe të kthesave ekzistuese të rrezikshme për sigurinë e qarkullimit të mjeteve./Monitor/