Rrjeti i fluturimeve të Turkish Airlines “numër një në botë”

Ekşi theksoi se Turkish Airlines aktualisht ka një flotë prej mbi 330 avionësh, duke përfshirë avionë të pasagjerëve dhe ato të mallrave, një rritje mbi pesëfish nga flota e saj prej 65 avionësh në vitin 2003

Shefi ekzekutiv i Turkish Airlines, Bilal Ekşi, ka deklaruar se linja kombëtare ajrore turke operon me fluturime në më shumë vende se çdo linjë ajrore tjetër në botë, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një panel të mbajtur në qytetin turk Rize, Ekşi tha se linja ajrore po ashtu operon me fluturime në vendet ku nuk ka ambasada turke, duke shtuar se, “Ne operojmë me fluturime në 34 vende në Afrikë”.

Duke theksuar rastin e Somalisë, ai tha se nuk ka shërbim tjetër ajror ndërkombëtar që ofron shërbim në Somali, ndërsa Turkish Airlines lidh Somalinë me 124 vende.

Ekşi tha se kompania po ashtu kontribuon në sektorin e turizmit në Turqi me çdo fluturim, duke shtuar se, “Ne nuk mbajmë vetëm pasagjerë, por edhe kulturë, turizëm dhe zhvillojmë biznes me sipërmarrësit”.

Ai po ashtu tha se linja ajrore kombëtare është një nga mjetet me ndikim të “fuqisë së butë” të Turqisë.

Ekşi theksoi se Turkish Airlines aktualisht ka një flotë prej mbi 330 avionësh, duke përfshirë avionë të pasagjerëve dhe ato të mallrave, një rritje mbi pesëfish nga flota e saj prej 65 avionësh në vitin 2003.

“Sa i përket përmasave të flotës, kompania jonë është linja ajrore numër 10 në botë”, tha ai.

Duke iu referuar rrjetit të madh të mallrave të kompanisë, Ekşi tha se Turkish Cargo renditet e dyta në Evropë.

“Ne synojmë të jemi një nga dy kompanitë më të mira në botë. Për këtë qëllim, përpjekjet tona do të vazhdojnë”, tha ai.

Turkish Airlines, e themeluar në vitin 1933, sot operon në më shumë se 300 destinacione në mbi 120 vende.

Vitin e kaluar, kompania ofroi shërbim për 75.2 milion pasagjerë, ndërsa këtë vit synon të arrijë 80 milionë pasagjerë në rrugët e brendshme dhe ndërkombëtare.

Fitimi neto i linjës ajrore vitin e kaluar arriti 4.04 miliardë lira turke (753 milionë dollarë), nga 636 milionë lira turke (223 milionë dollarë) në vitin 2017.