Rritje e investimeve holandeze në Shqipëri

Investimet holandeze në Shqipëri, kanë ardhur duke u rritur dhe kanë arritur shifrën 800 milionë USD, ç’ka është tregues i thellimit të bashkëpunimit midis të dy vendeve.

Investimet holandeze në Shqipëri, kanë ardhur duke u rritur dhe kanë arritur shifrën 800 milionë USD, ç’ka është tregues i thellimit të bashkëpunimit midis të dy vendeve.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot në një takim ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, Guusje Korthals Altes.

Ruçi e uroi ambasadoren Korthals Altes për misionin e saj në Shqipëri dhe i bëri me dije që i pret një bashkëpunim i ngushtë, sepse Shqipëria ndodhet në fazën përgatitore për hapjen e negociatave.

“Për ne, qëndrimi i Holandës është shumë i rëndësishëm, si një vend me vlera e standarde të larta evropiane dhe me kërkesat e natyrshme që këto vlera të bëhen pjesë edhe e vendeve që pranohen në familjen evropiane. Por, që të arrihet kjo, ne e dimë që kemi shumë punë. Ne besojmë shumë te mbështetja e Holandës”, ishin fjalët e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Më tej, Ruçi e konsideroi bashkëpunimin politik midis të dy vendeve si shumë të mirë dhe shprehu konsideratën se kësaj marrëdhënieje të mirë i kanë shërbyer edhe shkëmbimi i vizitave të nivelit shumë të lartë.

“Investimet holandeze në Shqipëri vijnë gjithashtu duke u rritur dhe kanë arritur shifrën 800 milionë USD, ç’ka është tregues i thellimit të bashkëpunimit midis të dy vendeve. Gjithashtu, kontaktet midis njerëzve janë rritur dhe kjo i shërben më mirë njohjes reciproke midis të dy popujve dhe imazhit të tyre në të dy vendet”, tha Ruçi.

“Ne po punojmë me Komisionin Europian për procesin përgatitor, në mënyrë që qershorin e ardhshëm të realizohet aspirata jonë për fillimin e negociatave. Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e pesë prioriteteve kryesore: reforma e administratës publike, reforma e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjes, duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave dhe të drejtave pronësore”, tha Ruçi.

Kryetari i Kuvendit e falënderoi ambasadoren Korthals Altes edhe për kontributin e dy gjyqtarëve holandezë në Komisionin e Vetingut.

Ambasadorja Guusje Korthals Altes e falënderoi Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi për fjalët dhe pritjen e ngrohtë dhe e cilësoi Shqipërinë si një vend shumë të rëndësishëm për Holandën.

Ajo siguroi se do të kontribuojë në zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve, sidomos në përshpejtimin e procesit të integrimit, por edhe në fusha të tjera si bashkëpunimi ekonomik, rritja e investimeve, bashkëpunimi në fushën e arsimit, mbështetja e shoqërisë civile etj, shkruan ATSH.

Ambasadorja Korthlas Altes falënderoi Kryetarin e Kuvendit për mbështetjen që i jep bashkëpunimit shqiptaro-holandez dhe shprehu besimin se frut i këtij bashkëpunimi dhe i thellimit të reformave do të jetë edhe hapja e negociatave në qershorin e vitit të ardhshëm.