Rritja e çmimeve në sezonin turistik? Rama: Hotelet plot tregojnë të kundërtën

Kryeministri Edi Rama pohoi sot se Shqipëria këtë sezon turistik ka çmimet më të lira, krahasuar me vendet e tjera të Mesdheut.

Kryeministri Edi Rama pohoi sot se Shqipëria këtë sezon turistik ka çmimet më të lira, krahasuar me vendet e tjera të Mesdheut.

Duke folur për pretendimet se në sezonin turistik çmimet janë rritur, Kryeministri Rama tha se çmimet i vendos tregu, jo qeveria, shkruan ATSH.

Më tej, Kryeministri sjell si argument faktin se hotelet dhe restorantet frekuentohen dhe kjo tregon se çmimet janë në interes të pushuesve dhe turistëve.

“Kur ka çmime të larta që e lënë restorantin dhe hotelin bosh, ato sjellin falimentim. Përderisa ka njerëz që frekuentojnë dhe hotelet dhe restorantet janë plot, kjo tregon se ka një balancë dhe çmimet janë në interes të turistëve”, – tha ai.

Më tej Rama shtoi se nga ana tjetër ka edhe një argument, që numri i shqiptarëve që pushojnë jashtë shteti është rritur, kjo tregon se është rritje e fuqisë së konsumit.

“Nuk diskutohet që në Shqipëri çmimet janë të lira. Nga ana tjetër ka dhe një argument se numri i shqiptarëve që pushojnë jashtë shtetit është rritur. Kjo tregon rritje të fuqisë së konsumit, jo se është më lirë në vende të tjera, por janë dy komponentë që flasin shumë”, – tha Rama.