Rritja e çmimeve, eksperti i energjisë: Ndërhyrja e qeverisë e nevojshme, duhet ulur apo hequr edhe TVSH-ja. Kriza parashikohet që…

Në studion e emisionit “FrontLine”, drejtuar nga gazetarja Marsela Karapanço, ishte i ftuar drejtori ekzekutiv i Universitetit Luarasi, njëherazi edhe eksperti i energjisë, Dael Dervishi.

Ai tha se reagimi i qeverisë për rritjen e çmimeve ishte i nevojshëm, duke shtuar se një tjetër masë imediate që do të reflektonte në çmim do të ishte edhe ulja apo heqja e TVSH-së. Sipas ekspertit, lufta në Ukrainë me gjasë do të zgjasë dhe kriza, do të jetë afatgjatë.

Ajo që na mbetet sipas tij, është të ambientohemi me situatën.

“Sigurisht që heqja e akcizës dhe i TVSH do të sillnin një ulje të çmimit të naftës. Ne pamë nga dalja publike e kryeministrit që qeveria ka vendosur të marrë masa. Efektet e protestës kanë shtyrë qeverinë të reflektojë. Kjo është një hap pozitiv, sepse tregon që protestat ndikojnë në qeveri. Protesta filloi dje, qeveria reflektoi është e ndjeshme ndaj protestave dhe kryeministri artikuloi një vendimmarrje jo shumë e qartë. Ajo që qeveria do të bëjë është që do të kontrollojë marshim e fitimit të tregtarëve. Qeveria nuk mund të ndërhyjë direkt në çmimin e naftës, por duke kontrolluar marshin e fitimit, ndikon te çmimi i naftës. Maqedonia ka një ent rregullator, ashtu siç kemi ne për energjinë, ujin, ajo ka një ent rregullator që ndërhyn në çmimet e tregut. Kosova bëri një lëvizje të ngjashme. Qeveria e Kroacisë bëri një lëvizje të ngjashme, e të njëjtën gjë po bën edhe qeveria shqiptare. Paralelisht duhet bërë dhe gjërat e tjera. Kryeministri tha se nuk do të ndërhyjmë te TVSH.

Kryeministri tha se nga ulja e TVSH do të sillte rritje të fitimit të tregtuesve. Nëse do të kemi këtë lëvizje të qeverisë që do të kontrollojë fitimin e kompanive mund të kontrollonte edhe fitimin që mund të vinte nga ndryshimi i TVSH-së. Menjëherë qeveria sot mori një vendim që do të ndikojë në uljen e çmimit të naftës, duke kontrolluar fitimin. Është masë e rëndësishme, do i mbajë në monitorim lëvizjet e çmimeve që nuk janë normale për vendin tonë. Rritja nga shkurti në mars, asnjëri prej vendeve nuk e ka rritur çmimin ashtu si ne. Ne kemi pasur rritje rreth 30% e rritjes së naftës, ndërkohë që bursa është rritur 15%. Çmimi në bursë u ul me 11%, në Shqipëri u ul me 4%. Pra ka diçka që nuk shkon. Rritja te ne nuk është në proporcion të drejtë. Ka pasur një lëvizje të rëndësishme në bursë, ndërsa te ne jo. Qeveria bën mirë të ndërhyjë dhe të zbulojë se çfarë nuk shkon. Në ditët në vijim do të zbulojmë më shumë. Ky është një lajm i mirë, është i rëndësishëm. Protestat e dhanë ndikimin e tyre. Nuk kemi vetëm rritje të naftës, por në të gjitha sektorët.

Kemi rritje të çmimit të grurit, që ndikohet direkt nga lufta. Është situatë e vështirë, nuk është vetëm për vendin tonë, është krizë globale, por vendi ynë po e vuan më shumë se sa vendet e tjera. Çmimi i naftës te ne është më i lartë se sa vendet e tjera. Lufta në Ukrainë është nxitësi i kësaj situate. Është një luftë e vështirë, është një luftë që të gjitha indiktatorët do të tregojnë se do të zgjasë. Kjo është një luftë vlerash, ideologjie, po përplaset Lindja dhe Perëndimi. Rusia është një shtet i drejtuar nga një grup politikanësh oligarkë, ndërsa aspiratat e Ukrainës janë demokratike. Kemi përplasje vlerash e lufta do të vijojë, duhet të mësohemi me krizën. Kriza nuk do të përfundojë shpejt. Qeveria nuk është në moment të lehtë. Veprimi që ajo bëri është i rëndësishëm. Duhet të tregohemi të kujdesshëm me ekonomitë tona, është situatë e jashtëzakonshme”, tha eksperti.

Eksperti tha se do të duhen ndryshuar zakonet e përditshme, por shtoi se ndryshimi duhet të nisë nga qeveritarët, që i kanë propozuar.

“Unë dëgjova fjali të kryeministrit që tha se do të rishikojmë shpenzimet e qeverisë. Shumë vende të botës i kanë ulur shpenzimet me kohë të deputetëve dhe qeverisë. Duhet të ndryshojmë zakonet e përditshme, por çdo gjë duhet të nisë nga vetja”, tha Dervishi.