Rritet niveli i Fierzës, rezerva ujore, më e larta e viteve të fundit

Prurjet në basen janë rritur në 270 metër kub ujë në sekondë.

Reshjet e javëve të fundit kanë sjellë rritjen e nivelit në liqenin e Fierzës. Lumenjtë dhe përrenjtë kanë dhjetëfishuar prurjet, të cilat ndikuan në rritjen e menjëhershme të nivelit të ujit në liqen.

Prurjet në basen janë rritur në 270 metër kub ujë në sekondë. Aktualisht kuota e liqenit është 295 metra, vetëm një metër larg kuotës maksimale prej 296 metra mbi nivelin e detit, me një kapacitet prej 3 miliard metër kub ujë.

Ky nivel duket shenjë e mirë për KESH-in për sigurimin e rezervës ujore për periudhën e verës pasi  aktualisht Fierza ka një rezervë ujore shumë premtuese dhe më të lartë jo vetëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar por edhe me mesataren shumëvjeçare. /A2News