Numri i palestinezëve të vrarë nga ofensiva e vazhdueshme ushtarake e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 31.112, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra dha informacione për sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës. Duke theksuar se forcat izraelite vranë 67 palestinezë në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, Al-Qudra tha se numri i palestinezë të vrarë në Gaza u rrit në 31.112.
Ai njoftoi se forcat izraelite plagosën 106 palestinezë të tjerë në sulmet e fundit ndërsa numri i përgjithshëm i të plagosurve në Rripin e Gazës arriti në 72.760. Al-Qudra nënvizoi se 72 për qind e palestinezëve të vrarë nga ushtria izraelite ishin gra dhe fëmijë ndërsa numri i njerëzve që vdiqën nga uria dhe etja është 25.
Zëdhënësi Al-Qudra tha se ende ka të vdekur nën rrënoja dhe përreth rrugëve, por për shkak të pengesës së forcave izraelite, ekipet mjekësore dhe zyrtarët e Mbrojtjes civile nuk mund të arrijnë tek kufomat.
Të paktën 16 palestinezë humbën jetën në sulmin e ushtrisë izraelite në një shtëpi në Rripin e Gazës. Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, avionët luftarakë izraelitë bombarduan një shtëpi në lagjen Sabra të qytetit të Gazës.
Në sulmin ku u bombardua shtëpia e familjes “Abu Shemale”, 16 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë u vranë dhe dhjetëra palestinezë u plagosën.
Ka një fatkeqësi të madhe humanitare në Rripin e Gazës, me një popullsi prej rreth 2.3 milionë banorë, pasi ushtria izraelite ka vazhduar sulmet e saj për 157 ditë, duke synuar vendbanimet civile, spitalet, shkollat dhe strehimoret ku strehohen palestinezët e zhvendosur si dhe duke parandaluar hyrjen e ndihmave humanitare.
Qarqet ndërkombëtare, veçanërisht organizatat e OKB-së, bëjnë thirrje për armëpushim në Gaza dhe për të rritur hyrjen e ndihmave humanitare në rajon për shkak të sëmundjeve të shkaktuara nga uria, etja dhe mungesa e materialeve higjienike, ku shumica e spitaleve janë jashtë shërbimit dhe ka mungesë të furnizimeve mjekësore.
Megjithëse urdhrat e përkohshme kundër Izraelit të vendosura nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) më 26 janar përfshinin sigurimin e qasjes në ndihmat humanitare në Gaza, thuhet se ndihma që hyri në Gaza në shkurt ishte përgjysmuar në krahasim me janarin.