Rritet aktiviteti tregtar i Shqipërisë

Shqipëria vijoi të shtojë aktivitetin tregtar gjatë muajit korrik duke shënuar treguesit më të lartë të tre viteve të fundit për sa i përket të njëjtës periudhë. Të dhënat konfirmojnë vrullin e lëvizjeve pas pandemisë që u regjistrua në fillim të këtij viti.

Instituti i Statistikave (INSTAT) raportoi se gjatë muajit korrik Shqipëria eksportoi 32 miliardë lekë (rreth 265 milionë euro) mallra dhe shërbime dhe importi shkoi në 72 miliardë lekë (595 milionë euro).

Krahasuar me korrikun e vitit të shkuar ka pasur rritje me 30.6% të eksportit dhe 26.1% të importit. INSTAT vëren se të dhënat e këtij viti për muajin korrik janë më të larta edhe se ato të vitit 2019 dhe 2018 kur vendi nuk ishte në pandemi.

Të dhënat tregtare për muajin korrik:

  • 2021: 32 miliardë lekë eksporte, 72 miliardë lekë importe
  • 2020: 25 miliardë lekë eksporte, 57 miliardë lekë importe
  • 2019: 28 miliardë lekë eksporte, 60 miliardë lekë importe
  • 2018: 27 miliardë lekë eksporte; 58 miliardë lekë importe

Gjatë këtij muaji eksporti shënoi rritje me vende si Italia (15.1%), Kosova (17.9%) dhe Spanja (44.1%) dhe pati ulje për produkte dhe shërbime drejt Kinës (-15.7%).

Partneri kryesor i eksporteve dhe importeve vijon të mbetet Italia.

Treguesit e tregtisë me jashtë gjatë muajit korrik 2021, INSTAT.

Për importin gjatë korrikut pati rritje nga Italia (16.5%), Turqia (14.2%) dhe Kina (16.8%) dhe ulje nga Kroacia (11.8%), Zvicra (27.4%) dhe Austria (12.2%).

Ndryshimi vjetor i tregtisë së mallrave në përqindje, INSTAT.

Ngjashëm si treguesit e muajit korrik, aktiviteti tregtar i shtatë muajve të këtij viti rezulton me të dhëna më të larta se vitet e mëparshme, prirje kjo e vënë re edhe gjatë muajt e mëparshëm.

Të dhënat tregtare të 7-muajve:

  • 2021: 209 miliardë lekë eksporte, 426 miliardë importe
  • 2020: 150 miliardë lekë eksporte, 328 miliardë importe
  • 2019: 180 miliardë lekë eksporte, 377 miliardë importe

Treguesit që kanë shënuar rritje të eksporteve këtë vit kanë qenë kategoria e materialeve të ndërtimit (+13.2 pikë përqindjeje) dhe burimet natyrore (minerale, hidrokarbure, energji elektrike +7.5 pikë përqindjeje).

Për importet makineritë dhe pjesët e këmbimit (+8.9 pikë përqindjeje), materialet e ndërtimit (+4.8 pikë përqindjeje) dhe produktet plastike (+4.4 pikë përqindjeje).

Shqipëria vijon të ketë raport të zhdrejtë tregtar mes eksporteve dhe importeve, kjo kryesisht prej faktit se mungojnë kapacitetet prodhuese. Në 10 vitet e fundit importet kanë qenë dy deri në katër herë më të larta se eksportet. /euronews