Në prag të finales së Conference League, ekipi i Romës dhe ai i Feyenoord, janë bërë bashkë në Tiranë, duke ndërmarrë një sërë nismash komunitare, që synojnë mbështetjen e njerëzve në nevojë dhe promovimin e sportit.
Perfaqesues te dy ekipeve iu bashkuan Akademisë së Futbollit Tirana, për të shkëmbyer eksperiencën e tyre me kampionët e vegjël në fushat e Parkut të Liqenit Artificial.
Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falënderoi dy ekipet për nismat e tyre sociale. “Një super falenderim edhe ekipit të Feynoord, edhe ekipit të Romës, që pavarësisht se ata janë këtu për të bërë një ndeshje, kanë ardhur më përpara, bashkë me trajnerët e tyre, që të vizitojne disa nga shkollat dhe qendrat sociale te Tiranes, ku ka njerëz në nevojë, apo disa nga ekipet sportive, si ekipi fantastik i të vegjëlve të Tiranës”, tha Veliaj.
foto galeri PreviousNext
Ai u shpreh se sporti është mënyra më e bukur për t’i bashkuar njerëzit. Teksa, u bëri thirrje të vegjëlve që të merren me sport, Veliaj nënvizoi se sporti i bën njerëzit më të dobishëm për shoqërinë. “Mesazhi që na vjen sot nga Feyenoord dhe Roma është të jemi qytetarë të mirë sepse keshtu jemi njerëz të mirë dhe familjarë të mirë. Një burrë i mirë, një njeri që thotë jam trim dhe jam sportist, nuk ngre dorë kurrë, jo vetëm dhunë në familje, po as në shkollë, as në rrugë. Rivaliteti është i pranueshëm, por mbasi të mbarojmë, ne do të punojmë prapë bashkë. Unë besoj se ky mësim vlen sidomos në Tiranë, kur ne bëhemi shumë pasionantë për ndeshje sportive apo politike. Por, duhet të pranojmë që në fund të ditës rrënjët i kemi këtu, të ardhmen e kemi këtu. Ndaj, të bashkëjetojmë me njëri-tjetrin, se ajo që kemi sëbashku është më e madhe dhe më e mirë se ajo që kemi veç e veç”, deklaroi Veliaj.
Ambasadori i Italisë në vendin tonë, Fabrizio Bucci, nënvizoi se ky është vetëm fillimi i nje bashkëpunimi të gjatë. “Një falënderim i madh, i përzemërt, për kryetarin e Bashkisë dhe skuadrën, shoqatës AS Roma që ndodhet këtu. Roma investon shumë në çështjet sociale, bëjnë shumë aktivitete, bëjnë shumë aktivitete për fëmijë, për gratë. Miqtë e AS Roma shfrytëzuan praninë e tyre këtu për organizimin e disa aktiviteteve me karakter social. Ideja është për të mbjellë një farë, që në të ardhmen do të japë frytet e saj. Pra, ky është fillimi i një rrugëtimi dhe i një bashkëpunimi që do të vijojë për shumë kohë”, deklaroi ambasadori Bucci.
Përfaqësuesi i Feyenoord, Ton Strooband, theksoi se në Tiranë ekipi i tij luan për ndeshjen më të rëndësishme të 20 viteve të fundit. “Roma dhe Feyenoord për 90 minuta në fushë do jenë kundërshtarë, por përtej këtyre 90 minutave ne jemi miq të mirë dhe së bashku do përpiqemi të bëjmë diçka të mirë për të gjithë”, tha ai.
Ndërsa, përfaqësuesi i ekipit të Romës, Francesco Pastorella, apeloi për më shumë solidaritet dhe sa më pak dhunë. “Futbolli është një lojë, duhet të bëjmë më të mirën, por fiton ai që është më i zoti. E rëndësishme është që të bëjmë maksimumin dhe të kënaqemi. Kjo është ajo çka duhet të shohim. Ju jeni e ardhmja jonë”, shtoi ai.
Gjatë vizitës së tyre në Tiranë, përfaqësues të Romës dhe të Feyenoord do të shkojnë edhe në shkolla për promovimin e vlerave sportive dhe të shëndetshme.