“Rizgjimi” i Etnës, fieraku hero shpëton fqinjët në Itali

“Rizgjimi” i vullkanit Etna nuk ishte një lajm i mirë për italianët, pasi llavën që dilte nga krateri e pasuan lëkundje të forta tërmeti në Katania, ku pati edhe të plagosur.

“Rizgjimi” i vullkanit Etna nuk ishte një lajm i mirë për italianët, pasi llavën që dilte nga krateri e pasuan lëkundje të forta tërmeti në Katania, ku pati edhe të plagosur.

Por si në çdo fatkeqësi, edhe kjo e prag Krishtlindjes në Itali ka “heroin” e saj dhe ai është një 35-vjeçar nga Fieri.

Gazmend Hysenaj ka rrëmbyer vëmendjen e prestigjiozes italiane “La Repubblica”, e cila ka shkruar sot për aktin e tij heroik, të shpëtimit të jetëve të fqinjëve të tij, të cilët ishin bllokuar nën rrënojat e banesës, që u dëmtua nga tërmeti 4.8 ballë.

“La Repubblica” raporton mbi përpjekjet e emigrantin fierak dhe disa banorëve të tjerë për të dhënë ndihmën e parë në zonën e prekur nga tragjedia.

Gjithashtu në shkrim nënvizohet se 35-vjeçari nga Fieri preku tokën italiane një vit më parë me shpresën për të gjetur një të ardhme më të mirë për veten dhe familjen e tij.

Ai ka rrëfyer edhe momentet e tmerrit kur të gjithë kërkonin ndihmë pasi ishin bllokuar nën gërmadha.

“Janë momente që s’ mbarojnë kurrë. Mora gruan e tre fëmijët në krah e i nxora në rrugë me shpejtësi. Por fqinji vazhdonte të thërriste, “më shpëtoni, ndihmë, kam mbetur i bllokuar në gërmadha. Porta e banesës së tij ishte e bllokuar. U mundova ta hap duke e shtyrë me trup por ishte e pamundur. Në atë moment një tjetër lëkundje tërmeti na trembi. Mora tulla e gurë të rrëzuar që gjeta përreth e fillova ta shkatërroj portën, munda të shpërthej e të ndihmoj fqinjin tim të dal i gjallë nga gërmadhat e banesës”, tha Gazmend Hysenaj për “La Repubblica”./TCh