Rikthehet pas 3 vitesh amnistia, përfitojnë qindra të dënuar

Rikthehet pas 3 vitesh amnistia, përfitojnë qindra të dënuar, kryesisht gra, të mitur dhe të moshuar

Qeveria do të shqyrtojë javën tjetër vendimin e ministrisë së drejtësisë për amnistinë e fundvitit. Nuk ka ende një numër të saktë të të dënuarve që do të lirohen nga qelitë por kategoritë kryesore që përfitojnë janë gratë, të moshuarit dhe të miturit. Hera e fundit kur u ndërmor një amnisti në burgje ishte viti 2016.

“Ministria e drejtësisë e ka depozituar propozimin në Këshillin e Ministrave dhe ai do ta miratojë në ditët në vijim, duke përfshirë kryesisht kategorinë e grave, të moshuarve dhe të miturve.  Ende nuk ka një numër të saktë, por gjithsesi është një numër pak më i vogël se ai i viteve të shkuara”, – tha ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, raporton EuroNews.

Në komisionin e Ligjeve u votua në parim edhe paketa penitenciare me 4 ligje për policinë e burgjeve, të drejtat e të dënuarve, ekzekutimin e vendimeve penale dhe shërbimin e provës. Ministrja Gjonaj pranoi se drejtuesit e burgjeve janë kërcënuar vazhdimisht, ndaj do merren masa për ruajtjen e tyre.

“Është një strukturë që do të garantojë mbrojtje për drejtuesit e institucioneve kur do të kenë kërcënime apo do të bien pre e rrezikshmërisë”, – tha Gjonaj.

Sipas burimeve, pre e kërcënimeve kohët e fundit ka rënë edhe vetë drejtori i përgjithshëm i burgjeve, Agim Ismaili, rast për të cilin kanë nisur hetimet.