“Revolucioni i PD-së jo me kazma e lopata, por…”/ Ironizon Luan Baçi: Ramës mund t’i dalë ndonjë grip apo rrugë për të shmangur mocionin

Deputeti i PD Luan Baçi në emisionin “Frontline” në News24 foli për zhvillimet politike në vend, protestat e opozitës dhe edhe tensionet që kanë përfshirë Kuvendin në seancat e fundit plenare.

Gjatë bisedës në studio me gazetaren Marsela Karapanço, deputeti i PD u ndal edhe tek përjashtimi i deputetëve , teksa e quajti atë të skenuar dhe të bërë me qëllim.

Po ashtu shtoi se në seancën e 2 marsin kryeministri Edi Rama mund të mos jetë prezent, dhe se sipas tij nuk do të ishte çudi nëse ia delegonte Elisa Spiropalit. I ndalur tek revolucioni popullor, Baçi sqaroi se duhet të jetë rezistent dhe jo revolucion me kazma e lopata.

“Komisioni Hetimor parlamentar nuk është gjykatë, por ka disa të drejta që nuk i kemi si deputetë aty në parlament për ti bërë pyetje Edi Ramës, për të debatua me të sepse ai mund të shmanet. Komisoni hetimor parlamentar ka disa të drejta ku janë të detyruar të japin përgjigje. Gjyqi që bëhet në Amerikë për për shtetasi amerikan. Edi Rama që përmendet 14 herë, i vetmi kryeministër në vendet e rajonit, ku veprimtaria e McGonigal është në të gjithë rajonin, por kryeministri ynë përmendet 14 herë. Të gjitha këto përfshihen në Komision Hetimor që Edi Rama duhet t’i japë përgjigje. Çfarë kontaktesh ka pasur me Duçkën dhe Nezën? Në aktakuzë thuhet e zezë mbi të bardhë se kanë dalë nga zyra e Kryeministrit informacione.

McGonigal është një ngjarje e madhe, sa mediat më prestigjioze i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë. Parë në këtë këndvështrim kur e gjithë bota zien , Edi Rama shmanget…Justifikime bajate që mund t’i bëjë një njeri i rrugë.”, tha Baçi.

Çfarë prisni më 2 mars?

Luan Baçi: Data dy mars është shumë e rëndësishme, dhe nga Rama pas këmbënguljeve nga opozita u pranua mocion me debat. Për Komisionet Hetimore Parlamentar ka një ligj, mazhoranca nuk mund të ndalojë dhe të pezullojë. Këta nuk kanë turp që dalin dhe thonë se nuk e ngrenë Komisionin sepse do të ndryshojnë ligjin. 13 deputetë kanë bërë 13 pyetje për Kryeministrin, dhe ai duhet të vijë në parlament dhe të përgjigjet. Pra thanë do t’i bëjmë bashkë, edhe interpelancën dhe të përgatitet kryeministri të bëjë shoë siç e ka zakon. Kryeministri duhet të flasë, por jo të bëjë batuta e retorikë boshë. Ai duhet t’i përgjigjet një për një pyetjeve. Por mund t’i dalë ndonjë rrugë në 2 mars dhe të delegojë Spiropalin, se zakonisht ndodh kjo me Ramën.

Revolucioni popullor?

Luan Baçi: revolucioni duhet të jetë i ashpër dhe i fortë. Por jo siç e thonë disa, nuk ka thënë PD për përdorim dhune,. Revolucioni duhet të jetë rezistent, jo me kazma e lopata. Rezistenca ndaj të keqes, për ta shmangur të keqen për ta përmbysur të keqen. PD është parti e votës së lirë, për këtë u krijua. Revolucioni duhet për të sensibilizuar të gjithë qytetarët, për ta ruajtur votën. Se Edi Rama si një vjedhës dhe hajdut i zgjedhjeve duhet të vihet me shpatulla pas murit.

Më tej shtoi se nëse rregullorja në Kuvend do të zbatohej, edhe nga deputetët nuk do të kishte revolta.

“Qëllimisht i shmangen diskutimeve dhe nuk pranojnë që të vijnë ata deputetë të mazhorancës që firmosin për përjashtimin e deputetëve. Por vënë 6-7 deputetë ta bëjnë ata kërkesën, pra kërkojnë të fusin edhe një tip konflikti. 7 nga deputetët që kanë firmosur , kanë firmosur në mënyrë robotike, se ata rrinë nga fund janë deputetë pa emër. Unë kam kërkuar të di çfarë rregulli kam shkelur. Sot nuk e kuptova përse u treguan tolerantë. Por po të vini re, zonja Nikolla ndërhyn edhe për mënyrën se si duhet të flasësh, a thua se është Nikolla apo Rama se çfarë fjalë duhet të zgjedhë deputeti”, tha ai.