Retorika “e fortë” e Macron nga Holanda: Nuk kemi pse bëhemi vasalë të Amerikës

Presidenti francez Emmanuel Macron të mërkurën i qëndroi komenteve të tij të diskutueshme për Tajvanin, duke thënë se të qenit aleat i SHBA-së nuk do të thotë të jesh një “vasal”.

Macron, duke përfunduar një vizitë shtetërore në Holandë, gjatë së cilës ai është përballur gjithashtu me protesta për reformat e pensioneve, tha se Franca ende mbështet “status quo”-në në Tajvan.

Por udhëheqësi francez u duk se i qëndroi vërejtjeve në një intervistë të fundjavës, në të cilën ai tha se Evropa nuk duhet të jetë një “ndjekëse” as e Uashingtonit apo e Pekinit nuk duhet të përfshihet në ndonjë përshkallëzim.

“Të jesh aleat nuk do të thotë të jesh vasal… nuk do të thotë se nuk kemi të drejtë të mendojmë vetë”, tha Macron në një konferencë shtypi në Amsterdam me kryeministrin holandez Mark Rutte.

Macron, i cili vizitoi Kinën javën e kaluar, tha se politika franceze dhe evropiane për Tajvanin “nuk ka ndryshuar” megjithë zemërimin mbi komentet e tij për Politico dhe Les Echos, në të cilat ai mbështeti autonominë strategjike të Evropës.

“Franca është për status quo-në në Tajvan” dhe një “zgjidhje paqësore të situatës”, shtoi ai.