Rekordi i Cristiano Ronaldos, tashmë ka shënuar në 4 Kupa Bote

Njeriu i historisë! Cristiano Ronaldo është “përbindësh” me Portugalinë, i vetmi që ka shënuar në 8 turne madhështor...

Kur flitet për vendosjen e rekordeve, atëherë gjithmonë vihet në plan të parë Cristiano Ronaldo. Ylli portugez nuk është një “përbindësh” sa i përket golave të shënuar vetëm me Realin e Madridit, por edhe me Kombëtaren.

Cristiano Ronaldo vazhdon të grumbullojë rekorde në bazë të golave. Kundër Spanjës, ndaj së cilës kurrë nuk kishte shënuar një gol, bëri një “hat-trick” në barazimin 3-3. Me këtë tripletë në Sochi, CR7 shënoi golin e tij të gjashtë në Kupën e Botës dhe u barazua në këtë drejtim me sojin e Pele (1958, 1962, 1966, 1970); Seeler (1958, 1962, 1966, 1970) dhe Klose (2006, 2010, 2014, 2018), të cilët arritën të shënonin në katër Kupat e Botës.

Cristiano Ronaldo tashmë ka shënuar në “Gjermani 2006” ndaj Iranit (i cili është në këtë Kupë Botërore), në vitin 2010 ndaj Koresë së Veriut dhe në vitin 2014 ndaj Ganës. Përveç kësaj, ai është i vetmi lojtar në historinë e futbollit, që ka shënuar në tetë faza finale: “Euro 2004” (2), “Botërori 2006” (1), “Euro 2008” (1), “Botërori 2010” (1), “Euro 2012” (3), “Botërori 2014 (1), “Euro 2016” (3) dhe “Botërori 2018” (3).

Gjermanët Kilnsmann dhe Klose mbeten në gjashtë faza finale. Me këto të dhëna, Cristiano Ronaldo ka arritur të jetë Kampion Europian (2016), i dyti në Europë (2004) dhe gjysmëfinalist në “Euro 2012” dhe “Botërorin 2016”. Gjithashtu, me tre golat e djeshëm, ylli portugez barazoi një mit tjetër: Puskas. Hungarezi kishte 84 gola, si golashënuesi rekord në skuadrat europiane. CR7 e ka arritur këtë numër. Mbresëlënëse.

Statistikat janë ato që flasin më shumë se gjithçka tjetër, nuk ka shumë ndryshim nëse bëhet fjalë për Kombëtare apo klub, Ronaldo është gjithmonë gati të vendosë rekorde.