Raporti i OSBE-ODIHR, reagon PD

Pas publikimit raportit final të OSBE-ODIHR lidhur me zgjedhjet e 30 Qershorit, ka reaguar edhe PD, e cila thotë se Shqipëria ka nevojë jetike për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Konfirmimi nga ODIHR se votimet moniste dhe antikushtetuese të 30 Qershorit “nuk morën në konsideratë interesin e qytetarëve shqiptarë”, është vlerësim që ndihmon forcimin e demokracisë funksionale në Shqipëri”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi.

Sipas tij, me konstatimet se votuesit nuk patën mundësi të zgjidhnin, se KQZ dhe Kolegji Zgjedhor shkelën ligjin dhe nuk vepruan në pavarësi, se u shkatërrua besimi i publikut në legiitimitetin e zgjedhjeve, se administratat zgjedhore cenoi besimin e publikut, se në listën e zgjedhësve u konstatuan nënshkrime dukshëm identike që janë provë e votimit me përfaqësim nga të tjerët, ODIHR i vuri vulën paligjshmërisë së 30 Qershorit.

Mirënjohje eksperteve të ODIHR për këtë kontribut në forcimin e demokracisë funksionale në Shqipëri. Në 30 Qershor 85 % e shqiptarëve i paraprinë këtij Raporti dhe vendosën të refuzojnë që t’u vidhet vota nga Edi Rama. Shqipërisë i duhet një qeveri që të respektojë vullnetin e qytetareve të saj për zgjedhje të lira e të ndershme, që u mundësojnë qytetarëve të saj të ndikojnë në qeverisje dhe që mbajnë në konsiderate vetëm interesat e tyre.