Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj sot mori pjesë në aksionin “Ta Pastrojmë Kosovën”, aksion ky që po zhvillohet në kuadër të “Ditës së Pastrimit të Botës” të organizuar nga Lëvizja Globale “Let’s Do It World”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit thuhet se nën praninë e shumë përfaqësuesve të huaj e vullnetarë të ndryshëm, që sot iu bashkuan këtij aksioni, Haradinaj ka thënë se për dy dekada është hedhur mbeturinë dhe mbetje në të gjithë vendin. Por, sipas tij një situatë e ngjashme nuk do të ndodhë më.
“Vendi ku jemi sot, do të kthehet në park, do të jetë një park për fëmijët, rininë, për të gjithë”, tha Haradinaj, nga vendi ku edhe është bërë hapja e aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, tek deponia ilegale më e madhe në Prishtinë.
Duke i falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen, Haradinaj theksoi se pikërisht në “Në Ditën Botërore për të pastruar botën”, sot edhe Kosova po pastron, pa dallim gjinie, feje, gjuhe, etnie, moshe apo profesioni.
Në këtë aksion ka marrë pjesë edhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, i cili ka bërë të ditur se e njëjta situatë është në të gjithë Kosovën, por që në 35 komuna të Kosovës i kanë dërguar axhendat e tyre. “Edhe vetë kryetarët e komunave janë në vendet e aksionit dhe po presim që mbi 100 mijë vetë sot të jenë pjesë e aksionit për pastrimin e vendit”, tha ai.
Në aksionin e sotëm ka marrë pjesë pjesë edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi, i cili tha se janë sot në këtë iniciativë për të mbështetur lëvizjen vullnetare të të rinjve, të shoqërisë civile, e cila, siç thotë ai, edhe sot po dëshmohet si në të gjithë botën, po ashtu edhe në Shqipëri e Kosovë.
Po ashtu, pjesë e këtij aksioni ishin edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, KFOR-i, agjencitë e ndryshme shtetërore, ambasadorë të huaj në Kosovë, ministritë, komunat, nxënësit e mësimdhënësit, kompanitë private dhe ato të pastrimit. Kësaj inicative të kryeministrit Haradinaj në Prishtinë i është bashkuar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën” do të zgjasë deri më datën 15 dhjetor 2018, dhe është nismë e kryeministrit Haradinaj që për qëllim ka pastrimin gjeneral të Kosovës nga mbeturinat e grumbulluara prej dy dekadash dhe aksion që do të pasojë me vendime restriktive për keqpërdoruesit.