Rama voton: Mësim që nuk do të harrohet kurrë nga asnjë parti politike

Kryeministri u pyet nga gazetarët edhe se çfarë do të ndodhë më 30 Qershor dhe nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, por refuzoi të përgjigjej

Kryeministri Edi Rama ka votuar në shkollën e Surrelit në kryeqytet, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj.Linda Rama. Pas votimit, Kryeministri foli për mediat dhe tha se dita e sotme do të hyjë në histori jo për faktin se sa vota do të marrin kandidatët, por që u respektua sovraniteti i popullit=

“Sot është shumë herë më e rëndësishme Shqipëria dhe mësimi historik që kjo ditë do t’i japë të gjithëve se sa vota për njërin apo për tjetrin që është e fshehtë. Unë besoj se kjo ditë konfirmon se me popullin nuk luhet, sovraniteti i popullit nuk është fjalë boshe dhe kush tenton t’i marrë popullit sovranitet nuk ka asnjë fund tjetër përveç fundit me dështim dhe me turp. Sot është e rëndësishme që çdo qytetar në këtë vend të votojë ose mos votojë por të respektojë të drejtën e kujtdo për të votuar ose mosvotuar. Historia solli që këto zgjedhje janë zgjedhje për Shqipërinë që duam për fëmijët tanë. Jam i bindur se sot në Shqipëri po ndodh diçka historike. Është një mësim që nuk do të harrohet kurrë nga asnjë parti politike”.